E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pogaj jep dorëheqjen nga OBP: U kursyen 42 milionë euro nga buxheti

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Drejtuesja e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP) Arlinda Pogaj ka dhënë sot dorëheqjen, duke e cilësuar periudhën e drejtimit të këtij institucioni si një kapitull të rëndësishëm profesional në ndërtimin dhe konsolidimin e institucionit.

Ajo vlerësoi se OBP është krijuar nga e para dhe ka fituar besimin e institucioneve publike më të rëndësishme në vend, duke luajtur rol në modernizimin e sistemit të prokurimeve publike.

“Gjatë kësaj periudhe OBP ka realizuar 1649 procedura prokurimi, duke gjeneruar rreth 42 milionë euro kursime për buxhetin e shtetit dhe duke u shërbyer 242 institucioneve publike, përfshirë spitalet, qendrat sociale, institucionet e sigurisë, ushtrinë dhe policinë”, theksoi ajo.

Sipas saj, OBP ka rritur transparencën dhe konkurrencën në prokurime, ka standardizuar proceset dhe ka forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, duke u bërë pjesë e nismave dhe projekteve evropiane.

“Arritja më e madhe nuk janë shifrat, por njerëzit dhe stafi i OBP që e ktheu vizionin në institucion funksional”, u shpreh ajo.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›