E Martë, 3 Nëntor 2026

GAZA – 19 të vdekur pas sulmit izraelit kundër një kampi refugjatësh

GAZA, 29 maj /ATSH-ANSA/ – Një seri sulmesh izraelite ndaj ndërtesave të banimit në kampin e refugjatëve Bureij në Rripin qendror të Gazës kanë vrarë 19 persona, raporton ”Al Jazeera” duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi në Rripin e Gazës.

”Tre shtëpi u shënjestruan radhazi pa paralajmërim. Sulmi e çon numrin e të vdekurve të sotëm në të paktën 37”, sipas ministrisë palestineze.

Dy ditë më parë qeveria izraelite ka hedhur poshtë propozimin e fundit për armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës, raportuan mediet lokale.

”Propozimi i marrë nga Izraeli nuk mund të pranohet nga asnjë qeveri përgjegjëse”, citohet të ketë thënë një zyrtar i lartë anonim nga ”Times of Israel”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Sipas faqes së lajmeve ”Ynet”, propozimi u paraqit nga një biznesmen palestinezo-amerikan i cili thuhet se ka qenë prej kohësh i përfshirë në negociata të drejtpërdrejta me grupin ekstremist palestinez Hamas.

Sipas transmetuesit arab ”Al-Mayadeen”, i lidhur me Hezbollahun, propozimi përfshin një armëpushim 70-ditor për t’u lejuar të dyja palëve të negociojnë përfundimin e luftës, ndërsa Hamasi duhet të lirojë pesë pengje që janë ende gjallë dhe trupat e pesë të tjerëve nga Gaza./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›