E Diel, 1 Nëntor 2026

GBnews: Protestat kundër turizmit kanë ndikim shkatërrues në vendin e preferuar të pushimeve, ndërsa anulimet e rezervimeve në hotele rriten ndjeshëm

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ – Protestat kundër zhvillimeve turistike në Shqipëri kanë një ndikim të rëndë në një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në rajon, ndërsa numri i anulimeve të rezervimeve hoteliere nga turistët e huaj po rritet, shkruan Susanna Siddell për “GBnews”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po përballet me një valë të madhe pakënaqësie publike, ndërsa protestat kundër qeverisë së tij hynë në ditën e 14-të radhazi gjatë fundjavës.

Sipas raportimeve, deri në 200 mijë persona mbushën rrugët e Tiranës të shtunën, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë socialiste.

Pakënaqësitë nisën fillimisht si kundërshtim ndaj një projekti luksoz turistik me vlerë rreth 4,6 miliardë dollarë, i lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.

Projekti synon transformimin e një ishulli të braktisur dhe të vijës bregdetare përreth  Adriatikut.

Zona e Zvërnecit është e njohur për praninë e flamingove dhe për vendet ku breshkat e detit ndërtojnë foletë e tyre.

Mjedisi natyror i lagunës dhe biodiversiteti i pasur kanë bërë që projekti të ngjallë kundërshtime të forta nga ambientalistët.

Duke komentuar protestat, kryeministri Rama tha se pasojë e drejtpërdrejtë e tyre kanë qenë anulimet e rezervimeve nga turistët e huaj.

Sipas tij, shumë biznese lokale që varen nga sezoni veror për të siguruar të ardhurat e pjesës tjetër të vitit i kanë shprehur shqetësimet e tyre qeverisë.

Megjithatë, kryeministri argumentoi se protestat po përdoren gjithashtu nga grupe dhe individë që synojnë të krijojnë paqëndrueshmëri politike përtej çështjes së turizmit.

Në një deklaratë të ashpër, ai i cilësoi zhvillimet si “fashiste” dhe “skandaloze”, duke kërkuar që situata të marrë fund.

Rama shkoi edhe më tej duke bërë krahasime me nacionalizmin e periudhës naziste në Gjermani. Ai tha se sloganet që pretendojnë se vendi u përket vetëm shqiptarëve i kujtojnë retorikën nacionaliste që e shndërroi Gjermaninë në “delen e zezë të Evropës” për shumë vite.

Zvërneci ndodhet në një gadishull të ngushtë me një lagunë ku flamingot grumbullohen gjatë muajve të verës. Bregdeti karakterizohet nga plazhe, shkëmbinj të ashpër dhe ullishte, duke e bërë zonën një nga peizazhet më të veçanta natyrore të Shqipërisë.

Organizatat mjedisore kanë ngritur alarmin se projekti i planifikuar ndodhet brenda një zone të mbrojtur me vlera të mëdha ekologjike.

Laguna shërben si habitat për shumë specie shtegtare shpendësh, përfshirë flamingot, të cilat janë kthyer në simbol të lëvizjes protestuese.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare këmbëngul se investimi do të revolucionarizojë turizmin shqiptar dhe do të ndihmojë vendin në përpjekjet për integrimin në Bashkimi Evropian.

Ajo që nisi si një lëvizje mjedisore është shndërruar tashmë në mobilizimin më të madh kundër qeverisë që nga rënia e komunizmit në vitin 1991.

Protestuesit nuk kërkojnë më vetëm anulimin e projektit turistik, por edhe zgjedhje të parakohshme dhe largimin e Ramës nga pushteti.

Kryeministri ka fajësuar për përshkallëzimin e protestave agjitatorë që veprojnë përmes rrjeteve sociale nga jashtë vendit, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga planet për zhvillimin e projektit.

Ndërkohë, protesta solidarizuese janë zhvilluar edhe jashtë Shqipërisë, ku pjesëtarë të diasporës shqiptare janë mbledhur në qytete si Londra, Berlini, Vjena dhe Nju Jorku.

Komunitete shqiptare në Greqi kanë shprehur gjithashtu mbështetje për protestat, ndërsa debatet janë përqendruar edhe te pretendimet për përvetësim të tokave. Konfliktet mbi pronësinë e tokës mbeten një fenomen i shpeshtë në Shqipëri për shkak të problemeve historike me regjistrimin e pronave, korrupsionit lokal dhe trashëgimisë së ndërlikuar të periudhës pas komunizmit./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›