GJENEVË – Kryqi i Kuq: Numri i të zhdukurve në botë rritet 70% në 5 vjet

GJENEVË, 29 gusht /ATSH-AFP/ – Gati 300 000 njerëz rezultojnë aktualisht të zhdukur në të gjithë botën, një shifër që është rritur me gati 70% gjatë pesë viteve, paralajmëroi sot Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
Kjo rritje nxitet nga numri në rritje i konflikteve, migrimi masiv dhe erozioni i respektit për rregullat e luftës, tha në një deklaratë Komiteti me qendër në Gjenevë.
“Nga Sudani në Ukrainë, nga Siria në Kolumbi, trendi është i qartë, numri në rritje i personave të zhdukur është një kujtesë e fortë se palët në konflikt dhe ata që i mbështesin ata po dështojnë të mbrojnë njerëzit gjatë luftës”, tha Pierre Krahenbuhl, drejtor i përgjithshëm i organizatës ndërkombëtare.
Rreth 284 400 persona u regjistruan si të zhdukur në fund të vitit të kaluar, një rritje prej 68% që nga viti 2019, sipas shifrave të reja të publikuara sot.
Por, Pierre Krahenbuhl paralajmëroi se kjo shifër pasqyronte “vetëm majën e ajsbergut”. /Ad.Ab./