E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJERMANI – Koalicioni qeverisës po humb mbështetjen

BERLIN, 13 shtator /ATSH-DPA/ – Partitë e koalicionit qeverisës në Gjermani po humbin mbështetje nga publiku vetëm katër muaj pas nisjes së mandatit të tyre, sipas një sondazhi që u publikua sot nga gazeta “Bild am Sonntag”.

Në sondazhin e kryer këtë muaj nga instituti i kërkimeve të opinionit INSA, Partia Konservatore Kristiandemokrate (CDU) e kancelarit Friedrich Merz humbi një pikë përqindjeje krahasuar me mbështetjen e javës së kaluar dhe tani qëndron në 25%.

Partneri i saj i koalicionit, Partia Socialdemokrate (SPD) e qendrës së majtë, gjithashtu ra me një pikë në 14%.

Nëse zgjedhjet federale do të mbaheshin nesër, 25% e të anketuarve thanë se do të votonin për Alternativën për Gjermaninë (AfD), pasi partia e djathtë ekstreme ruajti nivelin e saj të fortë të javës së kaluar.

Sipas sondazhit të 1 204 votuesve të regjistruar ndërmjet 8-12 shtatorit, nuk pati ndryshime në mbështetjen për partitë e tjera të përfaqësuara në Bundestagun gjerman.

Sondazhet zgjedhore zakonisht kanë një shkallë pasigurie. Ndryshimi i besnikërisë ndaj partive dhe vendimet gjithnjë e më shumë afatshkurtra të votuesve e bëjnë të vështirë për institutet e kërkimit të opinionit të matin saktë të dhënat e mbledhura. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›