E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Merz: I hapur për ndalimin e mediave sociale për fëmijët

BERLIN, 18 shkurt /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka mbështetur propozimet për të kufizuar përdorimin e mediave sociale nga fëmijët, duke përmendur shqetësimet në lidhje me kohën e tepërt para ekranit dhe ndikimin e saj në zhvillimin e të rinjve.

“Nëse fëmijët sot në moshën 14 vjeç kalojnë pesë orë ose më shumë në ditë kohë para ekranit, nëse i gjithë socializimi i tyre zhvillohet vetëm përmes këtij mediumi, atëherë nuk duhet të habitemi nga deficitet e personalitetit dhe problemet në sjelljen sociale tek të rinjtë”, tha Merz në një episod të podkastit politik “Machtwechsel” (”Ndryshimi i pushtetit”), i cili do të publikohet sot.

Përpara një kongresi partiak që fillon të premten, një degë rajonale e Unionit konservator Kristian-demokrat (CDU) të Merzit, në shtetin verior të Schleswig-Holstein, ka propozuar vendosjen e moshës minimale për përdorimin e platformave të tilla si Instagram, TikTok dhe Facebook në 16 vjeç, të shoqëruar me verifikimin e detyrueshëm të moshës.

Merz tha se kishte shumë simpati për propozimin dhe gjithashtu për një iniciativë të ngjashme nga Partia Social-demokrate (SPD) e qendrës së majtë, partneri i vogël në koalicionin qeverisës të Gjermanisë.

Figura të larta të SPD-së kanë paraqitur një dokument politikash që përshkruan propozime konkrete për kufizime, duke përfshirë një model të shkallëzuar me një ndalim të plotë për fëmijët nën 14 vjeç.

Merz tha se ai është përgjithësisht i kujdesshëm në lidhje me vendosjen e ndalimeve.

”Por, pyetja kryesore duhet të jetë se si i mbrojmë fëmijët në një moshë kur ata gjithashtu kanë nevojë për kohë për të luajtur, për të mësuar dhe për t’u përqendruar në shkollë”, shtoi ai.

Në fund të vitit të kaluar, Australia u bë vendi i parë që ua ndaloi fëmijëve nën moshën 16 vjeç të kenë llogaritë e tyre në mediat sociale.

Disa vende evropiane po shqyrtojnë masa të ngjashme./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›