E Diel, 1 Nëntor 2026

Konjufca nga Haga: Shkelje brutale e të drejtave të njeriut, lufta e UÇK-së ishte drejtë

PRISHTINË, 18 shkurt /ATSh/ Në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë sot do të zhvillohet seanca e fundit gjyqësore në ngarkim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi sot do të kenë nga 20 minuta kohë secili për deklarimet e tyre përfundimtare. Mbrojtja ka kërkuar pafajësinë për akuzën e krimeve të luftës së ngritur nga Zyra e Prokurorisë Speciale, e cila ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin nga të pandehurit.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca ka shkuar sot në Hagë për të ndjekur nga afër seancën. Ai tha sot gjatë prononcimi për mediet nga Gjykata Speciale e Hagës se procesi gjyqësor ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka pasur shkelje brutale të të drejtave të njeriut.

“Shpresojmë që verdikti të jetë në përputhje me historinë dhe lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Konjufca.

“Është dita e fundit e këtij procesi i cili zgjati kaq shumë, i procesit të gjykimit të katër drejtuesve të UÇK-së, njëri prej tyre Thaçi ishte president i Kosovës, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli ishin kryetar të Kuvendit të Republikës sonë, kurse Rexhep Selimi gjeneral i UÇK-së dhe udhëhoqi grupin parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

“Tashmë ata e kanë marrë një ndëshkim të padrejtë, sepse procesi zgjati aq shumë sa që unë pretendoj dhe të gjithë pretendojmë së bashku se u shkel e drejta elementare e njeriut që mbrohet edhe me Konventën e Kombeve të Bashkuara, edhe me Konventën Evropiane të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutën tonë dhe kjo është e drejta që personi të gjykohet në kohë të arsyeshme”, u shpreh Konjufca.

Sipas tij, “kjo e drejtë ma merr mendja që u shkel në mënyrë të dhunshme sepse janë bërë 5 vite e tre muaj që këta drejtues të UÇK-së mbahen të izoluar dhe larg familjeve të tyre dhe larg shtetit të tyre. Ka qenë shkelje brutale e të drejtës për me pas gjykim të arsyeshëm në kohë”.

Konjufca tha se Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur rezervat e saj mbi këtë gjykatë speciale.

“Ne e patëm kritikën tonë për këtë gjykatë se ishte gjykatë një etnike dhe fokusin e kishte pa drejtësisht në UÇK-në. Unë jam këtu për të konfirmuar edhe njëherë se lufta jonë, lufta e popullit të Kosovës ishte luftë e drejtë, ka qenë luftë e pastër dhe ka qenë luftë mbrojtëse. Qëllimi i asaj lufte nuk ishte sulmi i asnjë populli tjetër, targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishte policia dhe ushtria serbe, njerëzit e uniformua okupatorë që bënë gjenocidin në Kosovë që vranë fëmijë e gra e pleqë e që i vranë mbi 12 mijë qytetarë të Republikës sonë… Këtë të vërtetë nuk ka asnjë institucion, këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshoj asnjë”, tha ai.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›