E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJERMANI – Merz: Nuk jemi në luftë, por as në paqe nuk jemi më

BERLIN, 30 shtator /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se “nuk jemi në luftë, por as në paqe nuk jemi më”, duke paralajmëruar se bota po kalon ndryshime themelore.

Duke folur në një aktivitet të organizuar nga gazeta ”Rheinische Post”, Merz tha se ‘’rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla po zëvendësohet nga politika e fuqisë së papërpunuar, shpesh e shoqëruar me forcë ushtarake’’.

“Po jetojmë në një botë krejtësisht të ndryshme”, theksoi ai.

Merz shprehu shqetësim për fluturimet e fundit të dronëve mbi Danimarkë dhe landin  verior gjerman të Schleswig-Holstein.

Ai tha se ndërsa ‘’dronët duket se janë të paarmatosur, ata janë të pajisur me teknologji mbikëqyrjeje dhe kanë hapje krahësh deri në tetë metra dhe ne ende nuk e dimë saktësisht nga vijnë, por dyshimi është se janë nga Rusia”.

‘’Përballimi i këtij kërcënimi është kompleks, pasi Gjermania ka dendësi popullate”, tha Merz, duke shtuar se ‘’një dron tetë metrash nuk mund të rrëzohet thjesht nga qielli’’.

“Mund të përplaset në një oborr, në një çerdhe ose në një spital. Duhet të jemi vërtet të kujdesshëm me atë që bëjmë”, tha ai, duke theksuar se qasja më e mirë do të ishte ‘’parandalimi i hyrjes së dronëve të tillë në hapësirën ajrore evropiane që në fillim’’./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›