E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Ekonomia u rrit me 3,51%, mbi mesataren e vendeve të BE-së

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj prezantoi sot pasqyrën më të fundit mbi performancën ekonomike të vendit, në konferencën me temë “Stabilitet dhe Zhvillim përmes Ekonomisë dhe Inovacionit”.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se ekonomia shqiptare po njeh një rritje të qëndrueshme, e mbështetur nga rritja e konsumit të familjeve dhe e investimeve.

Ibrahimaj tha se, “referuar të dhënave të INSTAT, gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit në 3,51%, rritje që është ndjeshëm më e lartë se mesatarja e rritjes së BE – që mesatarisht ishte 1,5% – por më e lartë edhe se zhvillimet në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që ishte 2,9%”.

“Të gjithë treguesit ekonomikë flasin për një rritje të konsumit të familjeve”, u shpreh Ibrahimaj, duke nënvizuar se përmirësimi i të ardhurave dhe rritja e pagave po ndikojnë drejtpërdrejt në fuqizimin e kërkesës së brendshme.

Një tjetër element kyç, i përmendur nga ministrja, ishte Prodhimi Bruto i Kapitalit Fiks (PBKF), i cili është në rritje dhe tregon për një rigjallërim të investimeve në ekonomi.

“Prodhimi Bruto i Kapitalit Fiks është rritur, duke reflektuar një kërkesë në rritje në ekonomi”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja theksoi gjithashtu rolin e politikave të inovacionit dhe digjitalizimit në zhvillimin ekonomik, duke shtuar se qeveria është e angazhuar për të nxitur një model të ri ekonomik, të bazuar në teknologji, sipërmarrje dhe kapital njerëzor.

Ibrahimaj theksoi se stabiliteti makroekonomik, mbështetja për sektorët prodhues dhe nxitja e investimeve do të vijojnë të jenë shtylla kryesore të zhvillimit ekonomik në Shqipëri.

Ibrahimaj tha se kërkesa e brendshme ka qenë motori kryesor i rritjes ekonomike, me një rritje prej gati 5% në tremujorin e dytë të vitit.

“Kjo kërkesë është ndikuar ndjeshëm si nga konsumi, ashtu edhe nga investimet, duke reflektuar rritjen e besimit dhe fuqizimin e ekonomisë vendase”, theksoi ajo, teksa evidentoi konsumin si shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik.

Sipas ministres, konsumi kontribuoi në 70% të rritjes ekonomike, me një rritje prej 3,83% gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Kjo është mbështetur nga: Rritja e pagave; normat pozitive të punësimit dhe rritja e importeve të ushqimeve, si tregues i drejtpërdrejtë i konsumit të familjeve.

Po ashtu, konsumi i administratës publike shënoi një rritje të ndjeshme prej 12,44%, duke ndikuar pozitivisht në PBB-në e vendit.

Ibrahimaj theksoi se investimet dhe besimi i biznesit janë në rritje.

“Investimet në ekonomi janë rritur me 4,33%, çka tregon një kërkesë në rritje nga ana e bizneseve shqiptare për zgjerim dhe zhvillim. Ministrja theksoi gjithashtu se eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0,97%, ndërsa importet me 3,26%, duke treguar për një aktivitet ekonomik më të zgjeruar”, u shpreh ministrja.

Sipas të dhënave të prezantuara, Investimet e Huaja Direkte (IHD) arritën në 759 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të 2025-s, një rritje me 8 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Italia dhe Turqia kryesojnë listën e investitorëve me rritjen më të lartë, ndërsa rritje shënuan gjithashtu investimet nga Austria dhe Kosova.

Ministrja theksoi se, “33,3% e IHD-ve janë përqendruar në sektorin e pasurive të paluajtshme; 19,3% në sektorin financiar; 13% në industrinë nxjerrëse, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes tregtisë, industrisë përpunuese dhe sektorit të energjisë e gazit”.

“Rreth 50% e fluksit të investimeve të huaja janë riinvestime nga sipërmarrje ekzistuese të huaja, çka tregon për rritjen e besimit në tregun shqiptar dhe përmirësimin e klimës së biznesit”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo u ndal te bujqësia dhe perspektiva afatgjatë e zhvillimit të këtij sektori.

“Pavarësisht se sektori i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit shënoi një rënie të lehtë për shkak të uljes së prodhimit në blegtori dhe peshkim, bujqësia në vetvete pati një rritje prej 2,62% në tremujorin e dytë të vitit”, tha Ibrahimaj.

Ministrja njoftoi se në katër vitet e ardhshme do të ketë një vëmendje të shtuar ndaj sektorit të bujqësisë.

“Aktualisht ka një fond prej 250 milionë euro në dispozicion të kreditimit të bujqësisë nga Banka e Shqipërisë, dhe bashkë me Fondin e Garancisë, kredia për bujqësinë lëvrohet me interes 2%. Ndërkohë qeveria ka miratuar ngritjen e Bankës së Zhvillimit, që do të injektojë financim të qëndrueshëm me fondet e qeverisë shqiptare, por dhe ato të huaja, për SME-të dhe bujqësinë që kanë më shumë nevojë për rritjen e produktivitetit”, u shpreh Ibrahimaj.

Ibrahimaj, tha se, ndonëse industria në tërësi ka shënuar një rënie gjatë tremujorit të dytë, nënsektorë të saj si energjia janë rritur me 3,45%, falë vijimit të investimeve në energjinë e rinovueshme, që pritet të ruajnë tendencën pozitive. Rritje ka pasur gjithashtu edhe në industrinë e përpunimit të drurit dhe kauçukut.

Sipas saj, sektorë të tjerë në rritje janë: Ndërtimi me 2,7%; Pasuritë e paluajtshme me 7,9%, duke u përforcuar si një sektor lider në zhvillim. Komunikimi dhe inovacioni u rritën me 5%; sektori i sigurimeve shënoi rritje me 2% dhe aktivitetet profesionale dhe shkencore rritje me 3,6%.

Ibrahimaj thekoi se rritje eksportve ka përmirësuar bilancin tregtar.

“Eksportet e mallrave në 8-mujorin e parë të vitit 2025 u rritën me 3,5%, duke arritur 264 miliardë lekë. Ndërsa importet u ulën me 2,1%, në 582 miliardë lekë, duke sjellë një reduktim të deficitit tregtar me 6,1%.

Sipas saj, eksportet e shërbimeve dhe turizmi mbeten motor ekonomik.

Ibrahimaj tha se eksporti i shërbimeve në 6-mujorin e parë të 2025 u rrit me 8,1%, duke arritur në 3,4 miliardë lekë, ku turizmi zuri 7,6% të PBB-së, me të ardhura në rritje prej 2,01 miliardë lekësh në këtë periudhë.

Një tregues tjetër në dinamikë zhvillimi pozitiv është edhe hapja e bizneseve të reja dhe punësimi në rritje.

Sipas saj, për periudhën janar–gusht 2025 u hapën 21,204 biznese të reja, 7% më shumë se në 2024. Ndërsa qarkullimi total i bizneseve është rritur me 4%. Gjithashtu, evidentoi Ibrahimaj, pjesëmarrja e fuqisë në punë arriti në 76,5%. Punësimi u rrit me 0,6% në tremujorin e dytë ndërsa paga mesatare bruto arriti në 83 906 lekë, me një rritje vjetore prej 11,4%.

Qeveria ka një program ambicioz dhe shumë të qartë për rritjen e mëtejshme të pagave dhe lehtësi fiskale, theksoi ministrja.

“Nga viti 2026, paga minimale do të rritet nga 40 000 në 50 000 lekë. Ndërsa për 18 muajt e parë, nuk do të ketë rritje të taksave dhe tatimeve. Qeveria synon që paga mesatare të arrijë nivelin e 1000 eurove brenda katër viteve në vijim”, deklaroi Ibrahimaj.

“Burimet njerëzore janë pasuria më e madhe e vendit. Paga është elementi kryesor për të mbajtur kapitalin njerëzor në Shqipëri dhe për të nxitur produktivitetin” tha ajo.

Në përfundim, ministrja Ibrahimaj theksoi se ekonomia shqiptare është në një cikël pozitiv zhvillimi, dhe se politikat e qeverisë do të vazhdojnë të përqendrohen në: Rritjen e punësimit; nxitjen e sipërmarrjes dhe inovacionit; rritjen e pagave dhe fuqizimin e shtresës së mesme si dhe investimet në sektorët strategjikë dhe klimën e qëndrueshme të biznesit.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›