GJERMANI – Merz: Shumë çështje të pazgjidhura në bisedimet e paqes për Ukrainën

HEIDELBERG, 12 dhjetor /ATSH-DPA/- Ende ka nevojë për sqarime në përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës ruse dhe për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën, tha sot kancelari gjerman, Friedrich Merz.
“Diskutimet po zhvillohen intensivisht këto ditë”, tha politikani konservator në qytetin jugperëndimor gjerman të Heidelbergut.
“Ne po përpiqemi të përfshijmë qeverinë amerikane në bisedimet që po zhvillojmë me liderët e BE-së, dhe me qeverinë ukrainase dhe presidentin ukrainas”, tha Merz.
Merz theksoi se garancitë e sigurisë, të cilat janë diskutuar për disa javë, përqendrohen kryesisht në forcimin e përhershëm të ushtrisë ukrainase – për t’i mundësuar vendit të mbrohet në mënyrë të pavarur.
“Ne jemi të gatshëm të japim kontributet tona për këtë. Do të nevojiten edhe kontribute nga pala amerikane”, tha kancelari gjerman.
“Çështja se si dhe në çfarë detajesh do të integrohet kjo në një koncept të përgjithshëm mbetet e hapur”, shtoi ai.
“Në këtë drejtim, ka ende shumë pyetje të hapura dhe të gjitha janë objekt i diskutimeve që po zhvillohen aktualisht”, tha Merz.
“Ne e dimë se pa garanci sigurie, nuk mund ta mbrojmë Ukrainën në planin afatgjatë”, theksoi ai.
Merz sugjeroi së fundmi se pas bisedimeve gjatë fundjavës, mund të ketë një takim në Berlin në fillim të javës së ardhshme.//a.i/