BBC: Moska kundër planit evropian për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për Ukrainën

LONDËR, 12 dhjetor /ATSH/- Rusia po ndërmerr veprime ligjore në përgjigje të vendimit të aleatëve evropianë të Ukrainës për të përdorur asetet e ngrira ruse – për të ndihmuar Kievin të financojë ushtrinë dhe ekonominë e saj, sipas BBC.
Banka Qendrore Ruse po padit bankën belge “Euroclear” në një gjykatë në Moskë, dhe zyrtarët rusë kanë akuzuar BE-në për një akt vjedhjeje.
Ukrainës po i mbarojnë paratë e gatshme, pas pothuajse katër vitesh lufte në shkallë të plotë.
Për Evropën, zgjidhja për të mbyllur boshllëkun buxhetor të Kievit prej 135,7 miliardë eurosh – për dy vitet e ardhshme qëndron në paratë e ngrira të mbajtura nga “Euroclear”, dhe udhëheqësit e BE-së shpresojnë ta nënshkruajnë këtë – në samitin e tyre në Bruksel javën e ardhshme.
Në total, Rusia kishte rreth 210 miliardë euro nga asetet e saj të ngrira në BE – nga pushtimi i plotë i Ukrainës në shkurt 2022 – dhe 185 miliardë euro nga kjo shumë mbahet nga “Euroclear”.
BE-ja dhe Ukraina thanë se paratë duhet të përdoren për të rindërtuar atë që Rusia ka shkatërruar.
Brukseli e quan atë një “kredi dëmshpërblimi” dhe një plan për të mbështetur ekonominë e Ukrainës në shumën prej 90 miliardë eurosh.
“Është e drejtë që asetet e ngrira të Rusisë të përdoren për të rindërtuar atë që Rusia ka shkatërruar – dhe ato para më pas të bëhen tonat”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha se asetet do t’i mundësonin Ukrainës të mbrohej në mënyrë efektive nga sulmet e ardhshme ruse.
Veprimi gjyqësor i Rusisë pritej në Bruksel. Por, nuk është vetëm Moska që është e pakënaqur.
Belgjika është e shqetësuar duke përmendur rreziqet ligjore dhe financiare nëse gjithçka shkon keq.
Drejtoresha ekzekutive e “Euroclear”, Valerie Urbain tha se përdorimi i aseteve të ngrira ruse mund të destabilizonte sistemin financiar ndërkombëtar.
“Euroclear” gjithashtu ka rreth 16-17 miliardë euro të bllokuara në Rusi.
Kryeministri belg, Bart de Wever i ka vendosur BE-së një sërë kushtesh racionale, të arsyeshme dhe të justifikuara – përpara se të pranojë planin e dëmshpërblimeve dhe ka refuzuar të përjashtojë veprimet ligjore nëse paraqiten rreziqe të konsiderueshme për vendin e tij. //a.i/