GJKKO: Meta mund të prishë provat! Zbardhet vendimi që la në burg ish-Presidentin e vendit

Kushtet që Ilir Meta të mos ndërhyjë në prova nuk ekzistojnë. Kështu arsyeton Gjykata Antikorrupsion në vendimin që i mohon ish-presidentit të vendit daljen nga qelia. Arsyetimi, i siguruar nga Vizion Plus, tregon shkaqet pse sipas gjykatës masa e izolimit të Metës është e përligjur.
Gjykata e Posaçme: Përfundimi i fazës së hetimeve paraprake nuk e zbeh rrezikun e dëmtimit të provave. Më e ndjeshme kjo bëhet kur jemi përpara provave të gjalla, të cilat janë të tilla që jo vetëm formësohen ekskluzivisht gjatë shqyrtimit gjyqësor por kanë natyrë të paqëndrueshme lidhur me faktet dhe rrethanat që i prezantojnë procesit gjyqësor. Këto prova, me kalimin e një kohe të gjatë nga momenti i ndodhjes së faktit ose rrethanës, ose nën ndikimin e faktorëve të brendshëm e të jashtëm, kanë tendencë të humbasin aftësinë për ta riprodhuar të dhënën sikurse ajo është perceptuar. Ndryshe nga ato, provat e ngrira, nuk ndryshojnë me kalimin e kohës dhe nën trysninë e faktorëve të ndryshëm.
Por kujt i referohet trupa gjykuese me prova të gjalla?
Gjykata e Posaçme: Dëshmitarët dhe të bashkëpandehurit ose edhe ekspertët nëse lind nevoja e pyetjes së tyre, do të duhet të riprodhojnë atë çfarë kanë perceptuar përpara gjykatës si dhe t’i përgjigjen pyetjeve të kësaj të fundit dhe palëve. Përjashtim bëhet vetëm në rastin kur i pandehuri kërkon gjykim të shkurtuar dhe gjykata e pranon, duke marrë vlerë deklarimi i dhënë gjatë fazës së hetimeve paraprake. Në këtë drejtim, provat e gjalla janë gjithnjë të kërcënuara nga ndikimi që i pandehuri mund të ushtrojë mbi to.
Është për shkak të funksionit që ka aktualisht apo atyre që pasur në të kaluarën, që Ilir Meta mund të ushtrojë influencën e tij mbi dëshmitarët që do të pyeten nga organi i akuzës, analizon Gjykata Speciale.
Gjykata e Posaçme: Në këtë mënyrë, pushteti dhe lidhjet që i pandehuri ka krijuar në shoqëri krijon mundësi praktike të paligjshme për të ndikuar tek dëshmitarët dhe gjithashtu edhe tek subjekte të tjerë me qëllim “helmimin e provës”, për të lehtësuar pozitën e tij në raport me procedimin.
Në këto kushte për Gjykatën e Posaçme, që përfaqësohet nga magjistrati Erion Çela, masa e arrestit në burg është në proporcion si me pozitën e Ilir Metës ashtu edhe me ndëshkimin e mundshëm që parashikojnë veprat penale për të cilat ai akuzohet, nëse shpallet fajtor.
Ish presidenti i vendit dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në çështjen CEZ-DIA, në lobimin në SHBA, si dhe për pastrim parash e fshehje të tyre në bashkëpunim me ish- gruan e tij, Monika Kryemadhi e biznesmenë.
Ish-çifti këto akuza i ka hedhur poshtë, si të motivuara politikisht. Pasi SPAK i mori të pandehur, hapi i radhës, sipas procedurës është kalimi apo jo për gjykim i dosjes./vizionplus.tv