GJKKO dënon dy persona për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike

TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar(GjKKO) dënoi sot me burgim dy persona të cilët akuzohen për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Gëzim Bakalli alias Shkembim Cërmanji u dënua me 19 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 12 vite e 8 muaj burg. Erjon Loci u dënua me 12 vite burg, por përfundimisht do të vuaj 8 vite në qeli për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Nga hetimet ka rezultuar se gjatë viteve 2018-2024, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal kanë importuar sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit kokainë, heroinë, marijuanë dhe ecstasy, që sigurohej kryesisht nga Amerika Latine dhe Gjermania. Dy të dënuarit nga GJKKO kanë trafikuar lëndë narkotike në mënyrë të paligjshme në territorin e Konfederatës së Zvicrës në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe e kanë tregtuar atë në territorin zviceran.
Gëzim Bakalli ka patur rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme kriminale, ndërsa Erjon Loci, është njëri nga personat që ka ndihmuar Gëzim Bakalli, në transportimin dhe shitjen e lëndëve narkotike në territorin zviceran në gjashtë episode.
Bakalli akuzohej nga SPAK për pjesëmarrje në vepra penale në të paktën 15 raste, ndërsa Loci në të paktën gjashtë episode.
/m.q/a.f/