GJKKO dënon me 14 vite burg kolumbianin e dosjes “Frakulla”, akuzohet si kimisti i grupit

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 14 vite burg shtetasin kolumbian Saimir Rosales Rodriguez, i akuzuar si një nga personat kyç në laboratorin e kokainës të zbuluar në Frakull.
Vendimi i gjykatës përkon me kërkesën e mëparshme të SPAK, i cili kishte kërkuar të njëjtën masë dënimi për rolin e tij në aktivitetin kriminal të trafikut dhe përpunimit të lëndëve narkotike.
Rodriguez është gjykuar në mungesë nga drejtësia shqiptare, ndërsa autoritetet pritet të vijojnë procedurat për ekstradimin e tij nga Kolumbia, ku ai është arrestuar më herët.
Sipas të dhënave hetimore, arrestimi i tij në Kolumbi është kryer në shtator të vitit të kaluar, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar në kuadër të hetimeve për laboratorin e kokainës në Frakull.
Në dosjen e SPAK, kolumbiani akuzohet se ka pasur rol thelbësor në procesin e përpunimit dhe ndarjes së kokainës në laboratorin e zbuluar gjatë një operacioni të autoriteteve shqiptare.
Hetimet kanë zbuluar se ai konsiderohet si “kimisti” i strukturës kriminale, përgjegjës për fazat teknike të përpunimit të lëndës narkotike.