E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJKKO jep pretencën, dënohen tre anëtarët e grupit kriminal për trafik narkotikësh, do ta vuajnë dënimin në siguri të lartë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur sot, më 13 shkurt, vendimet përfundimtare për tre të pandehur të akuzuar nga SPAK si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun e drogës.

Për shkak se procesi u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, të pandehurit Bujar Brahaj, Ertjan Pjetërgjokaj dhe Elton Ukaj kanë përfituar uljen e 1/3 së dënimit, duke u dënuar në total me afro 17 vite burgim.

Vendimet e Gjykatës për secilin të pandehur

Bujar Brahaj, është shpallur fajtor për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” si dhe për pjesëmarrje në “Grup të strukturuar kriminal”. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, ai është dënuar përfundimisht me 6 vjet e 8 muaj burgim.

Ertjan Pjetërgjokaj është shpallur fajtor për veprimtarinë e tij brenda “Grupit të strukturuar kriminal”. Gjykata e dënoi atë përfundimisht me 5 vjet e 4 muaj burgim.

Elton Ukaj, ashtu si Pjetërgjokaj, edhe Ukaj u shpall fajtor për pjesëmarrje në “Grup të strukturuar kriminal” dhe u dënua përfundimisht me 4 vjet e 8 muaj burgim.

Ekzekutimi i dënimit

Trupi gjykues theksoi në vendimin e tij se të tre të dënuarit do ta vuajnë heqjen e lirisë në një burg të sigurisë së lartë. Në llogaritjen e ditëve të burgut, atyre do t’u njihet edhe koha e kaluar në masat e sigurisë “Arrest në burg” apo “Arrest në shtëpi” gjatë fazës së hetimeve.

Gjithashtu, të tre personat do të mbulojnë në mënyrë solidare shpenzimet e procedurave hetimore dhe gjyqësore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›