GJKKO kalon për gjykim çështjen e ish-kreut të ARRSH-së

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur dërgimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të Evis Berberit, ish-kreu i ARRSH-së, i cili është në burg si i dyshuar për abuzime me tenderët e institucionit që ai drejtonte.
Në një njoftim për mediet, bëhet me dije se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes, në ngarkim të të pandehurve Evis Berberi, Valter Begaj, Ervis Lami, Brunilda Buli, Gentian Gjyli, Genti Raça, Erald Elezi, Artan Leskoviku, Altin Marko, Orjon Islamaj, Adrian Kroi, Bledar Aliaj, Blerta Musabelli, Kamelia Tafaj, Adela Kica, Denis Xhoxhi, Adja Strazimiri, Gëzim Noni, Shkëlqim Lusha, Ela Goxhaj, Jetmira Dervishi, Vabona Pepa, Person Juridik “Net Group” shpk, Personi juridik “DAAM” shpk”.
Sipas njoftimit, në seancën paraprake të ditës së sotme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, vendosi pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si edhe dërgimin për gjykim të procedimit penal të të pandehurve të mësipërm.
Ata do të gjykohen për veprat penale si shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike kryer në bashkëpunim, korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim i dokumenteve kryer në bashkëpunim.
Evis Berberi u arrestua më 14 mars 2024, në akuzë për korrupsion dhe pastrim parash.
Kjo çështje i dërgohet trupit gjykues të themelit prej tre anëtarësh në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si gjykatë kompetente për gjykimin e saj.
/e.i/a.f/r.e/