Topi: 21 Janari, çështje në hetim për të dalë tek e vërteta

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Ish-presidenti Bamir Topi, u shpreh sot pas daljes nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se “çështja e 21 Janarit është ende nën hetim dhe kjo bëhet për të dalë tek e vërteta”.
Ish-presidenti Topi u paraqit këtë të martë në SPAK, në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e 21 janarit, ku katër protestues mbetën të vrarë gjatë protestës në 2011-ës, periudhë në të cilën ai mbante detyrën e Presidentit të vendit.
“Dihet funksioni i Prokurorisë së Posaçme, është thjesht hetimi për të dalë te e vërteta. Gjithçka është në fazë hetimi. Unë kam folur pa fund”, tha Topi në një prononcim për gazetarët pas daljes nga SPAK.
Për të njëjtën çështje, ka dëshmuar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, pas thirrjes së tij dy herë nga kjo prokurori për ta pyetur atë si person në dijeni.
Hetimet për 21 Janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekadë kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre, ndërkohë që është e vetmja vrasje pa autor në atë ngjarje. Në vitin 2020, Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet edhe për vrasjen e Aleks Nikës që kishte mbetur pa autor, për t’i rihapur sërish në 2021. Familja e Aleks Nikës ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje t’i kalonte për hetim SPAK, por ky i fundit nuk pranonte të hetonte një çështje e cila po hetohej njëkohësisht edhe nga Prokuroria e Tiranës.
Në 14 nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se 21 Janari ishte krim shtetëror dhe duhej të hetohej si i tillë nga drejtësia shqiptare. Strasburgu vendosi që për çështjen e Aleks Nikës t’i hapej rrugë hetimit të munguar. Me anë të këtij vendimi familja Nika iu drejtua Gjykatës së Lartë.
Pas një viti, Gjykata e Lartë doli me një vendim ku urdhëroi SPAK të regjistronte kallëzimin e familjes Nika dhe të niste hetimet për 21 Janarin.
/e.i/a.f/r.e/