E Diel, 1 Nëntor 2026

GJKKO refuzon kërkesën për zëvendësim të masës së sigurisë, ish-e dashura e Safet Bajrit mbetet në burg

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka refuzuar kërkesën e Eria Agos, ish-e dashura e Safet Bajrit, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

31-vjeçarja Ago u arrestua në muajin mars të këtij viti, pasi dyshohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) se ka qenë drejtuesja e një prej automjeteve të përdorura në vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2018, në lagjen Kiras të Shkodrës.

Megjithëse Ago ka mohuar përfshirjen në atentat dhe ka kundërshtuar akuzat e SPAK, gjykata nuk ka pranuar pretendimet e saj, duke vendosur vazhdimin e paraburgimit.

Për këtë vrasje, SPAK ka ngritur akuza të rënda ndaj disa personave të njohur të botës së krimit, përfshirë Safet Bajrin, Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin. Ata akuzohen për:

“Vrasje me paramendim”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.

Vrasja e Fatbardh Licit dyshohet të ketë qenë pjesë e një hakmarrjeje mes grupeve kriminale që operonin në zonën e Shkodrës. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›