E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozohen dorëshkrimet e Agollit, e bija e shkrimtarit i dorëzon Muzeut blloqet e shënimit dhe sendet personale

Këto janë dorëshkrimet origjinale të Dritëro Agollit gjatë procesit krijues të romanit “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”, një prej veprave më të fuqishme satirike të kohës.

Për herë të parë, publiku mund të shohë nga afër faqet ku lindi kjo vepër satirike, e cila duket se guxoi shumë për kohën. Midis rreshtave të shkruar me laps, me fshirje, korrigjime dhe shënime anësore, Dritëroi zbulohet si njeriu që kërkon për fjalën e drejtë, që qesh me dhimbjen dhe që e përkthen absurditetin e realitetit në art.

Në ekspozitë gjenden edhe blloqet e shënimeve, ku nis gjeneza e romanit, revista “Hosteni” e vitit 1972, që e botoi për herë të parë, letërkëmbime origjinale, e deri te objekte personale të shkrimtarit, që sjellin afër njeriun pas veprës.

Për drejtoreshën e këtij institucioni këto dorëshkrime janë si një dritare në mendjen e tij krijuese, ku “Zyloja” merr frymë për herë të parë, jo thjesht si personazh, por si metaforë e një kohe që nuk është mbyllur kurrë plotësisht.

Dhurimi i këtyre dokumenteve origjinale u bë nga e bija e Dritëroit, Elona Agolli duke e kthyer muzeun në një vend ku kujtesa merr frymë dhe veprat e Dritëroit vazhdojnë të jetësohen edhe sot./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›