GJKKO rrëzon kërkesën e Ajola Xoxës për pezullimin e procesit, shtyn seancën më 21 korrik

GJKKO ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Ajola Xoxës për pezullimin e shqyrtimit gjyqësor për shkak të lejes së lindjes, por ka pranuar shtyrjen e seancës për të garantuar të drejtën e saj për të qenë e pranishme në proces.
Pas tërheqjes në dhomën e këshillimit, trupa gjykuese vlerësoi se, që nga depozitimi i kërkesës për gjykim në themel, Ajola Xoxa nuk ka marrë pjesë personalisht në asnjë seancë, por është përfaqësuar vazhdimisht nga mbrojtësit e saj ligjorë.
GJKKO konstatoi se është provuar fakti që Xoxa ka lindur me ndërhyrje kirurgjikale më 29 qershor. Në këto kushte, për të garantuar të drejtën e saj për të marrë pjesë në proces, vendosi shtyrjen e seancës, ndërsa rrëzoi kërkesën për pezullimin e gjykimit gjatë gjithë periudhës së lejes së lindjes.
Po ashtu, trupa gjykuese vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn deri në zhvillimin e seancës së radhës.
Seanca e ardhshme është caktuar të mbahet më 21 korrik, në orën 10:00.
Më herët avokati i Ajola Xoxës, Gurali Brahimllari, tha se klientja e tij ka sjellë në jetë fëmijën më 29 qershor me ndërhyrje kirurgjikale dhe ndodhet në leje lindjeje për 63 ditë.
Avokati deklaroi se, për shkak të gjendjes shëndetësore, klientja e tij nuk është në gjendje të komunikojë lirisht me mbrojtësit për të garantuar një mbrojtje efektive. Në deklaratën e saj, Xoxa ka kërkuar pezullimin e gjykimit gjatë periudhës së lejes së lindjes dhe ka bërë të ditur se nuk autorizon avokatët të vijojnë mbrojtjen pa praninë e saj.
Nga ana tjetër, SPAK kundërshtoi kërkesën dhe kërkoi ndarjen e çështjes ndaj saj dhe vijimin normal të gjykimit për të pandehurit e tjerë.
/rtsh.al/