GREQI – Të paktën katër të vdekur nga zjarri që përfshiu një fabrikë biskotash

ATHINË, 26 janar /ATSH – ANSA/ – Mendimet tona janë me familjet e viktimave, theksoi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në hapje të një mbledhjeje të kabinetit, në lidhje me zjarrin që shpërtheu në orët e para të mëngjesit të sotëm në një fabrikë biskotash pranë qytetit të Trikalës.
Numri i fundit i të vdekurve nga tragjedia është katër, trupat e të cilëve u gjetën të karbonizuar dhe ende nuk janë identifikuar, por sipas mediave greke, ato janë katër punëtore femra në fabrikë.
Një punonjëse tjetër është ende e zhdukur, sipas agjencisë së lajmeve Ana. Rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm, u regjistrua një shpërthim i fuqishëm dhe një zjarr shpërtheu kur 13 persona po punonin në turnin e natës në fabrikë.
Gjithsej shtatë persona, përfshirë gjashtë punonjës dhe një zjarrfikës, u shtruan në spital, por lëndimet e tyre nuk janë në rrezik.
Mitsotakis shtoi se “një ekip zjarrfikësish po shqyrton tashmë shkaqet e kësaj tragjedie, në mënyrë që të dihet saktësisht se çfarë ndodhi dhe të përcaktohet se kush është përgjegjës”. /os/