RUSI – Kremlini: Bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ende në një fazë të hershme

MOSKË, 26 janar /ATSH-DPA/- Kremlini tha se bisedimet midis Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’i dhënë fund luftës, ishin në një fazë të hershme, duke theksuar se nuk priteshin rezultate të prekshme.
“Do të ishte gabim të priteshin shumë rezultate”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në Moskë, duke iu referuar bisedimeve tripalëshe fundjavën e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Temat e diskutuara në Abu Dabi ishin të vështira, por vetë fakti që këto bisedime kanë filluar në mënyrë konstruktive duhet të shihet si pozitive”, tha Peskov.
Në negociatat e para të drejtpërdrejta midis palëve ndërluftuese, u ra dakord që bisedimet të vazhdonin vetëm pas një jave, dhe ende nuk është caktuar një datë.
Peskov kundërshtoi raportet e përfaqësuesve të SHBA-së se ekzistonte një atmosferë pothuajse miqësore midis ukrainasve dhe rusëve.
“Kjo nuk është e mundur në këtë fazë”, tha ai.
Peskov iu referua samitit të Alaskës, që përshkruan interesat e Rusisë, gjatë takimit midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin në SHBA, në gusht 2025. Asnjë marrëveshje nga ai takim nuk është bërë publike.
Rusia kërkon tërheqjen e trupave ukrainase nga disa pjesë të rajonit lindor të Donbasit që janë ende nën kontrollin e Kievit. Qeveria ukrainase e ka hedhur poshtë këtë kërkesë.
Eksperti gjerman i sigurisë, Nico Lange shkroi në X se duket sikur Trump bëri premtime në Ankorazh që tani nuk është në gjendje t’i mbajë, prandaj SHBA-të po i bëjnë presion Ukrainës që të bëjë lëshime. //a.i/