GROENLANDË – Qeveria nuk pranon në asnjë mënyrë kërkesën amerikane për të marrë vendin

NUUK, 12 janar /ATSH-AFP/ – Groenlanda nuk e pranon në asnjë mënyrë dëshirën amerikane për të marrë në zotërim territorin e saj dhe do të intensifikojë përpjekjet që mbrojtja e saj të garantohet brenda kuadrit të NATO-s, njoftoi sot qeveria groenlandeze.
”Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar sërish dëshirën e tyre për të marrë në zotërim Groenlandën. Koalicioni qeverisës i Groenlandës nuk mund ta pranojë këtë në asnjë mënyrë”, thuhet në një deklaratë.
Javën e kaluar, Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja dhe Britania e Madhe, në një deklaratë të përbashkët, shprehën mbështetjen e tyre për Groenlandën dhe Danimarkën, e cila e administron territorin, përballë deklaratave të Donald Trump.
”Në dritën e qëndrimit shumë pozitiv të gjashtë vendeve anëtare të NATO-s ndaj Groenlandës, Naalakkersuis do të intensifikojë përpjekjet që mbrojtja e Groenlandës të jetë pjesë e kuadrit të NATO-s”, shpjegoi koalicioni.
Qeveria groenlandeze e drejtuar nga Jens-Frederik Nielsen theksoi se Groenlanda synon “të jetë përgjithmonë pjesë e aleancës perëndimore të mbrojtjes”./ /Ad.Ab./ a.jor.