Gazetarja shqiptare në SHBA: Zëvendësimi i Wiles me Miller tregon linjën që do të ndjekë Trump

E ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë nga SHBA-ja në “Review” me Greta Topjanën, gazetarja shqiptare në Amerikë, Keida Kostreci, komentoi rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Ajo u ndal edhe te një zhvillim i fundit brenda Shtëpisë së Bardhë, largimi i shefes së personelit, Susie Wiles, dhe zëvendësimi i saj me Stephen Miller. Sipas Kostrecit, ky ndryshim tregon prirjen që do të ndjekë presidenti Donald Trump në vitet e mbetura të mandatit, veçanërisht sa u përket politikave të emigracionit dhe sigurisë kombëtare.
“Lajmi i madh i javës ishte fitorja e gjerë, e madhe dhe deri diku e papritur e demokratëve, ndërsa një lajm tjetër që sapo ka dalë ka të bëjë me një ndryshim brenda Shtëpisë së Bardhë, ku largohet shefja e personelit, Susie Wiles, dhe në këtë detyrë vendoset Stephen Miller. Zëvendësimi i Susie Wiles, e cila ishte gruaja e parë në historinë e Amerikës që mbante postin e shefes së personelit të Shtëpisë së Bardhë dhe një nga arkitektet e fitores së Trumpit në vitin 2024, me Stephen Miller, që është një nga figurat e forta të MAGA-s, tregon se çfarë prirjeje do të ketë zoti Trump në vitet që i kanë mbetur pas zgjedhjeve. Në këtë kontekst, është i rëndësishëm një ndryshim i tillë. Veprimet konkrete do të shihen më vonë, por Miller njihet si një nga njerëzit më të afërt të zotit Trump, por edhe si një nga personat që është kritikuar jashtëzakonisht shumë për politikat kundër emigracionit dhe sigurinë kombëtare. Zoti Trump tha se Miller është një menaxher i mirë dhe se ky ndryshim bëhet për mirë. Vendosja e tij në këtë post tregon se do të ketë një vazhdimësi nga presidenti Donald Trump të qëndrimeve të tij, shpeshherë të ashpra. Ky është një tregues se Trump do të vazhdojë me linjën e tij, por kjo do të analizohet më pas. Kur ndodhin humbje të tilla për njërën parti apo tjetrën, dikush do të sakrifikohet, në thonjëza, dhe priten edhe ndryshime të tjera që mund të ndodhin në kabinet, sepse është e zakonshme që kur një parti humbet kaq thellë, të bëhen edhe ndryshime të tilla”, tha Kostreci.
Lajme të Sugjeruara