E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazheli: Procedura të thjeshtuara doganore dhe modernizim të sistemeve në 2026-ën


TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganës Shqiptare, Genti Gazheli bëri sot një bilanc të vitit 2025, duke theksuar se administrata doganore ka shënuar përparim të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, modernizimin e sistemeve dhe forcimin e bashkëpunimit me biznesin dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipas Gazhelit, viti 2025 u karakterizua nga hapa konkretë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, ku një moment kyç ishte hapja e negociatave për Kapitullin 29 – Bashkimi Doganor. Ky zhvillim, tha ai, konfirmoi përparimin e Shqipërisë në përafrimin me acquis të Bashkimi Europian dhe rolin qendror të doganave në këtë proces.

Në këtë kuadër, gjatë vitit u zhvillua në Tiranë Konferenca e Nivelit të Lartë mes Doganave të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së, ku u diskutua për lehtësimin e tregtisë, digjitalizimin dhe standardet e reja doganore, duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe ndërkufitar.

Një tjetër hap i rëndësishëm ishte dorëzimi i dokumentacionit të plotë të “closing benchmarks” për Kapitullin 29, që përfshin kalendarin legjislativ, strategjitë sektoriale, planet shumëvjeçare të teknologjisë së informacionit dhe raportet e integritetit. Ky proces synon mbylljen e negociatave për Unionin Doganor deri në prill 2027.

Gjatë vitit 2025 u miratua gjithashtu Strategjia 2025-2030 për modernizimin dhe harmonizimin e sistemeve të informacionit doganor me standardet europiane. Sipas Gazhelit, kjo strategji krijon bazën për ndërtimin e sistemeve të reja doganore, duke garantuar ndërveprueshmëri të plotë me sistemet e BE-së deri në vitin 2030.

Në nivel rajonal, Dogana Shqiptare mbajti drejtimin e Nënkomitetit të CEFTA për Doganat dhe Rregullat e Origjinës, duke promovuar standardet e operatorëve ekonomikë të autorizuar dhe modernizimin e procedurave doganore në rajon.

Viti 2025 shënoi edhe forcimin e dialogut me komunitetin e biznesit, përmes forumeve të përbashkëta me Dhomën Amerikane të Tregtisë dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, ku u adresuan çështje që lidhen me lehtësimin e procedurave, transparencën dhe përmirësimin e shërbimeve doganore. Vlerësime pozitive për reformat u dhanë edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Në aspektin financiar, Dogana Shqiptare regjistroi një rekord historik të ardhurash, duke arkëtuar rreth 12 milionë euro në një ditë të vetme, çka, sipas Gazhelit, pasqyron forcimin e administratës dhe eficiencën e reformave të zbatuara.

Duke folur për vitin 2026, Gazheli theksoi se fokusi do të jetë në thellimin e modernizimit, investimet në teknologji të avancuar, rritjen e sigurisë dhe efikasitetit, si dhe në procedura më të thjeshta për biznesin, në funksion të përmbylljes së Kapitullit 29 dhe avancimit të procesit të integrimit europian. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›