Gjanica, nga gangrenë mjedisore në shëtitore urbane në Fier

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Projekti i rigjenerimit urban të lumit Gjanica në Fier po hyn në fazën përfundimtare me avancimin e punimeve në lotin 3, një ndër veprat më të rëndësishme infrastrukturore për qytetin.
Kryeministri Edi Rama ndau pamje të Gjanicës, teksa u shpreh se transformimi i tij përfaqëson një nga shembujt më domethënës të rigjenerimit urban dhe mjedisor në vend, duke e kthyer atë nga një “gangrenë mjedisore dhe rrezik përmbytjesh” në një shëtitore moderne për qytetarët.
Tashmë pjesa kryesore është e përfunduar duke ulur ndotjen në qytet si dhe erën e rëndë që sillte lumi.
Projekti përfshin një gjatësi prej rreth 5 kilometrash, që e pozicionon këtë shëtitore si më të gjatën në vend, e zhvilluar në të dy anët e lumit ndërsa po punohet për 2 kilometrat e fundit. Projekti parashikon ndërtimin e dy niveleve shëtitore, me trotuare, ndriçim dhe hapësira të gjelbra të zgjeruara aty ku është e mundur.
Me përfundimin e këtij projekti, qyteti i Fierit jo vetëm që fiton një hapësirë të re rekreative, por garanton edhe një zgjidhje afatgjatë për problematikat mjedisore dhe përmbytjet që e kanë ndjekur për dekada. Shëtitorja e re pritet të jetë një nga atraksionet kryesore urbane në jug të vendit. /j.p/