Gjendet një trup i dekompozuar në fshatin Cerrujë

Një trup i pajetë në proces dekompozimi është gjetur nga autoritetet në territorin e fshatit Cerrujë. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht përmes një njoftimi për mediat nga Policia e Shtetit, e cila ka nisur veprimet hetimore në vendngjarje.
Sipas të dhënave fillestare të bëra publike, viktima i përket seksit mashkull dhe është konstatuar në lagjen Domush të këtij fshati.
Në vendin e ngjarjes kanë zbritur strukturat lokale të rendit dhe ekspertët ligjorë. Policia e Shtetit specifikoi se në terren janë “shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë”.
Autoritetet kanë bërë të ditur se po punojnë intensivisht “me qëllim identifikimin e shtetasit, si dhe zbardhjen e rrethanave të tjera të rastit”.
/rtsh.al/