E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet pa jetë një 68-vjeçar në Fier, dyshohet vdekje natyrale

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Fier, ku një person rreth 68 vjeç është gjetur i pajetë pranë rrugës që lidh fshatrat “Radostinë” dhe “Vadhizë”. 

Policia ka mbërritur në vendngjarje rreth orës 05:30 të mëngjesit, pas njoftimit të familjarëve. Trupi i pajetë u transportua drejt morgut, ku pritet të kryhen procedurat përkatëse dhe ekspertiza mjeko-ligjore. 

Sipas burimeve policore, viktima dyshohet se ka humbur jetën për shkaqe natyrale, pasi nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune.

Gazetarja e RTSH, Laoreta Roshi, duke cituar burime policore, raportoi se i moshuari vuante nga zemra dhe tensioni i lartë i gjakut. 

Familjarët kanë dëshmuar se ai kishte dalë për të punuar tokën që prej ditës së djeshme dhe nuk ishte kthyer në banesë. Aktualisht, grupi hetimor po mbledh deklaratat e tyre për të përcaktuar orën e largimit nga shtëpia, historikun shëndetësor dhe nëse viktima ka pasur ndonjë konflikt. 

Ndërkohë, policia ka njoftuar se po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe pritet të japë informacion zyrtar në vijim. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›