Vala e të nxehtit që po prek Evropën është ‘e paprecedentë’. Ekspertët paralajmërojnë pasoja shëndetësore nga temperaturat ekstreme

Evropa po përballet me një valë të nxehti të pazakontë dhe historike. Temperaturat kanë arritur deri në 35°C pranë Londrës dhe pritet të ngjiten deri në 39°C në disa zona të Francës, sipas parashikuesit të motit në Météo-France, Adrien Warnan, i cili e cilësoi këtë fenomen si “krejtësisht të paparë dhe historik”.
Në Britani, ky maj është regjistruar si më i ngrohti ndonjëherë. Shumë qytetarë po vuajnë pasojat e temperaturave të larta. “Epo, unë po punoj në kuzhinë, kështu që është e tmerrshme,” tha Renata Stankeviciute, një kuzhiniere lituaneze që jeton në Angli.
Edhe turistët në Paris po përpiqen të përshtaten me kushtet e pazakonta. “Në pjesën e parë të ditës gjithçka po shkon mirë dhe interesante. Por pastaj do të shkoj në apartamentin tim dhe do të fle sepse kam nevojë për më shumë energji, sepse bën shumë, shumë vapë në këtë kohë,” shpjegoi Sabina Ismailova, një turiste 29-vjeçare nga Ukraina.
Autoritetet britanike kujtojnë se verën e kaluar vala e të nxehtit shkaktoi rreth 1500 viktima në Angli.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat e larta mund të kenë pasoja fatale, veçanërisht për personat me probleme shëndetësore si sëmundjet e frymëmarrjes.
“Temperaturat që arritëm dje, gati 35 gradë në Londër, për fat të keq ka të ngjarë të kenë vrarë qindra njerëz në të gjithë vendin,” tha drejtori i Politikave dhe Komunikimit në Institutin e Kërkimeve Grantham të LSE-së për Ndryshimet Klimatike dhe Mjedisin.
Nga ana tjetër, ministrja franceze e shëndetësisë, Stéphanie Rist, theksoi se vala aktuale e të nxehtit nuk përbën një emergjencë, por u bëri thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë për të shmangur rreziqet.
/rtsh.al/