Gjermani – Merz dhe Fiala kërkojnë një zgjidhje evropiane për sigurinë kufitare

BERLIN, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Gjermania dhe Republika Çeke ranë dakord që kontrollet në kufirin e përbashkët duhet të jenë vetëm të përkohshme, deklaruan kancelari Friedrich Merz dhe kryeministri Petr Fiala pas një takimi sot në Berlin.
“Ne duam një zgjidhje evropiane”, siguroi Merz. “Por përderisa nuk jemi në gjendje të mbrojmë më mirë kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, duhet të kryejmë kontrolle në kufijtë e brendshëm evropianë”.
Gjermania dhe Çekia ndajnë një kufi prej më shumë se 800 kilometrash. Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, urdhëroi intensifikimin e kontrolleve në këtë kufi vetëm pak orë pasi mori detyrën në fillim të majit.
Për shkak të migracionit të parregullt, Fiala shprehu mirëkuptim për qasjen gjermane. Megjithatë, ai theksoi se në vend të kontrolleve kufitare, duhet të ketë një zgjidhje afatgjatë për kufirin e jashtëm të BE-së.
“Një zgjidhje afatgjatë duhet të jetë një zgjidhje evropiane, në mënyrë që të mund të vazhdojmë të kalojmë lirshëm kufijtë e brendshëm të BE-së”. /Ad.Ab./