E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania reagon për protestat: Nuk komentojmë çështjet e brendshme politike

Qeveria gjermane ka komentuar për herë të parë protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtën demokratike për të protestuar, ndërsa zhvillimet politike në vend i konsideron çështje të brendshme të Shqipërisë.

Deklarata u bë nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Giese, gjatë një konference për shtyp të qeverisë federale, pas një pyetjeje të ngritur nga Deutsche Welle lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri, kontaktet e mundshme të Berlinit me protestuesit dhe qëndrimin ndaj qeverisë shqiptare.

Giese tha se autoritetet gjermane janë në dijeni të raportimeve mbi protestat dhe kundërshtimet që lidhen me projektin në fjalë.

“Unë i kam marrë parasysh njoftimet për këtë. Bëhet fjalë sidomos për një projekt kundër të cilit ka protesta. Sigurisht njerëzit në Shqipëri kanë të drejtë të protestojnë, por kjo është një çështje e brendshme politike në Shqipëri. Për këtë nuk mund të japim më shumë informacion”, deklaroi ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme nuk dha detaje nëse Berlini ka kontakte me organizatorët e protestave dhe as nuk komentoi pritshmëritë e qeverisë gjermane ndaj kabinetit të kryeministrit Edi Rama.

Deklarata e Berlinit vjen në një moment kur protestat qytetare në Shqipëri po vijojnë prej disa javësh, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur kundërshtimet e tyre ndaj projektit në Zvërnec dhe kanë kërkuar ndryshime politike në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›