Protesta publikon 5 kërkesat/ Dritan Goxhaj: Dorëheqja e Ramës dhe ndryshime kushtetuese

Ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, ka lexuar pesë kërkesat e protestuesve gjatë protestës së 23-të radhazi që po zhvillohet në Tiranë.
Në fjalën e tij para qytetarëve të mbledhur në shesh, Goxhaj deklaroi se protesta tashmë ka artikuluar një platformë konkrete politike dhe institucionale, e cila synon ndryshime të thella në qeverisjen dhe sistemin politik të vendit.
Kërkesa e parë e protestuesve është dorëheqja e menjëhershme dhe e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij.
Sipas platformës së lexuar në protestë, kërkohet gjithashtu krijimi i një qeverie teknike tranzitore dhe jopartiake me mandat 12-mujor, e cila do të administrojë vendin deri në realizimin e reformave të kërkuara.
Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me ndryshimet kushtetuese. Protestuesit kërkojnë që të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit dhe që ndryshimet kushtetuese të miratohen përmes referendumit popullor.
Në kërkesat e paraqitura përfshihen edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor, rishikimi i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave, si dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Paralelisht, protestuesit deklaruan se nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre fillestare, të cilat përfshijnë anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paktit të Maleve dhe heqjen e kuadrit ligjor për investimet strategjike.
Kërkesa e pestë parashikon hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila sipas protestuesve duhet të përgatitet pas konsultimeve me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.
Artikulimi i këtyre pesë kërkesave shënon një fazë të re të protestës, e cila prej 23 ditësh po zhvillohet në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Dritan Goxhaj ish luftetar i UCK lexon 5 kerkesat ne ditem e 23 te protestes
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimi i saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht, ne nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin e zonave të mbrojtura, anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimi i Paktit të Maleve, si dhe shfuqizimi i statusit të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.