E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjikondi: Deputetët e PD t’i hedhin vetë molotovët, të mos përdorin njerëzit e thjeshtë

Aktivistja Brisilda Gjikondi ka reaguar për zhvillimet gjatë protestës së opozitës, duke e cilësuar situatën si shqetësuese dhe të dëmshme për të gjitha palët.

“Unë mendoj që kjo është një skenë tronditëse, shqetësuese, që nuk është në favor të asnjërës palë. Është e dhimbshme të shikosh shqiptarë kundër shqiptarëve”, u shpreh ajo.

Në emisionin “3D” në RTSH, Gjikondi kritikoi mënyrën e përshkallëzimit të protestës, duke theksuar se, nëse opozita do të rrëzojë qeverinë me molotov, duhet t’i hedhin vetë deputetë dhe jo të përdorin njerëz të thjeshtë.

Sipas saj, nëse opozita beson se pushteti merret përmes akteve të tilla, atëherë përgjegjësia duhet të mbahet drejtpërdrejt nga drejtuesit e saj.

“Do të doja shumë, dhe këtë nuk e them me ironi, por seriozisht, që deputetët e Partisë Demokratike të ishin ata që hidhnin molotovë dhe të mos përdornin njerëzit e thjeshtë dhe hallexhinjtë. Nëse janë aq trima, duke qenë se kanë edhe imunitet, le të jenë ata që përshkallëzojnë protestën, por jo të përdorin qytetarët që nuk kanë asnjë mbrojtje. Nëse kjo është qasja dhe vizioni, do të ishte më e ndershme që të ishin vetë ata që veprojnë, sesa të përdorin shqiptarët e thjeshtë”, u shpreh Gjikondi.

Në përfundim, ajo theksoi se situata është e dhimbshme, pasi sipas saj, si policia ashtu edhe protestuesit po përballen për interesa që nuk janë drejtpërdrejt të tyre.

“Për mendimin tim kjo është e dhimbshme sepse të dy palët dhe policët edhe shqiptarët janë të dy palë që mbrojnë interesat që s’janë të tyre. Policia mbron interesat e një shteti kurse ata protestuesit mbrojnë interesat e familjes Berisha”, tha ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›