Neza: Sjellja e policisë tërësisht jo profesionale

Analisti Sami Neza ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1, se sjellja e policisë në protestën e Partisë Demokratike, ka qenë tërësisht jo profesionale.
“Policia ka kryer një veprim prej rrugaçesh. Jo policë, por rrugaçë. Është tërësisht joprofesionale, tërësisht antiqytetare dhe antidemokratike një ndërhyrje e tillë”, tha Neza.
Ai theksoi disproporcionalitetin e forcës së përdorur nga policia, duke vënë në dukje se protestuesit në fillim bënin vetëm gjeste konvencionale pa rrezik për askënd, ndërsa disa prej tyre hodhën molotovë apo fishekzjarrë drejt pllakave dhe tullave.
Sipas tij, në vend të kësaj, policia përdori gaz lotsjellës dhe sprej me spec të djegës direkt mbi njerëzit, pa pasur rrezik real as për institucionet, as për vetë efektivët.
“Në çastin e parë, sapo protestuesit kanë filluar të bëjnë disa gjeste konvencionale të cilat nuk rrezikojnë askënd, nuk rrezikojnë as policinë. Ata njerëz hedhin qoftë edhe molotovë, qoftë edhe fishekzjarrë ndaj pllakave dhe tullave, ndërsa policia hedh gaz lotsjellës, spraj me spec-djegës mbi njerëzit, pa bërë as edhe një gjë, pa pasur as edhe një problem rreziku qoftë institucional, qoftë edhe të trupës së policisë mbi njerëz. E kuptoni çfarë disproporcionaliteti është ky? Ata gjuajnë pllaka, këta gjuajnë njerëzit. Kjo është policia jonë. Po ata nuk janë policë. Jam shumë i sigurt që janë njerëz të punësuar vetëm për protestën. Këta janë grupi i punësuar vetëm për protestën dhe dalin në mënyrë të papërgjegjshme dhe sulmojnë”, nënvizoi Neza.
Analisti kritikoi faktin që prej të paktën gjashtë vitesh në Tiranë nuk lejohet zhvillimi i lirë i protestave.
“Ka kohë që në Tiranë, të paktën gjashtë vjet, nuk lënë të zhvillohet një protestë. Policia nuk lë të zhvillohet protesta. Çfarë policie është kjo? Kujt i shërben kjo polici që nuk le të zhvillohen protestat e qytetarëve?
Si mundesh ti që në minutën e 30-të të një proteste, e cila mund të zgjasë dy orë, tre orë, gjashtë orë apo edhe dhjetë orë, t’i sulmosh protestuesit? Çfarë do të thotë kjo? Kush, cili nga ata protestues u cenua nga hedhja e molotovëve apo e fishekzjarrëve tani? Cili institucion u cenua?”, tha më tej Neza.
/rtsh.al/