Gjikondi: Unifikimi i masave të sigurisë shpëtoi imazhin e Gjykatës së Lartë

Juristja Brizida Gjikondi, e ftuar në emisionin “3D” në RTSH1, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë “arrest në burg”, duke vlerësuar disa aspekte të tij në lidhje me standardet e reja të vendosura për zbatimin e kësaj mase.
Gjikondi shprehu mendimin se vendimi i fundit ndihmon në ruajtjen e imazhit të Gjykatës së Lartë, duke u shprehur se ai u dha në mënyrë konsensuale nga anëtarët e saj.
“Me atë që ndodhi sot, mendoj që e para i shpëtoi imazhin Sadushit sepse ishte kthyer në fakt arma drejt tij dhe dukej që ishte një vendim në unitet nga të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë. Besoj që ai nuk i ka pasur numrat për të bërë atë që donte, por të gjithë kanë shpëtuar imazhin e Gjykatës së Lartë, që mendoj se është diçka shumë e mirë dhe serioze”, tha juristja.
Sipas saj, vendimi nuk solli një unifikim të plotë të praktikës gjyqësore siç pritej fillimisht, por në thelb rikonfirmoi një vendim të vitit 2011, me disa shtesa mbi mënyrën e arsyetimit të masave të sigurisë nga gjyqtarët dhe prokurorët.
“Nuk u arrit unifikimi i politizuar i këtij vendimi unifikues që pritej. U la në fuqi totalisht vendimi i 2011, thjesht u bë një formatim i atij vendimi dhe iu shtuan 3 pika se si gjykatat dhe prokurorët duhet të arsyetojnë vendimet e tyre se pse një person duhet të rrijë në paraburgim. Të gjithë u fokusuan që duhet të kishte arsye politike, sepse në fakt askush nuk kishte pyetur për shqiptarët e thjeshtë që dergjeshin në paraburgim. Mendoj që bëhej fjalë për titullarët e lartë që janë në paraburgim për shkak të SPAK“, tha juristja.
/rtsh.al/