E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimnazi “Babë Dudë Karbunara”, hapësirë zhvillimi përtej orarit mësimor

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Gjimnazi “Babë Dudë Karbunara” prej disa vitesh funksionon tashmë si shkollë qendër komunitare.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro përmes një postimi në rrjetet sociale tha se ky gjimnaz i mban dyert e hapura për nxënësit e Beratit edhe përtej orarit mësimor, duke u kthyer në një hapësirë zhvillimi dhe bashkëpunimi.

“Në bibliotekë, përmes Klubit të Leximit, fëmijët ushqejnë dashurinë për librin dhe fjalën e shkruar, në laboratorin e Teknologjisë së Informacionit, Klubi i Inteligjencës Artificiale nxit kureshtjen dhe mendimin inovativ ndërsa në palestrën e shkollës, Klubi i Sportit forcon disiplinën dhe frymën e ekipit”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “me standarde bashkëkohore kjo shkollë qendër komunitare është një model i hapur dhe mikpritës, ku nxënësit gjejnë mbështetje, mundësi dhe hapësirë për të zhvilluar talentet e tyre edhe pas mësimit”.

Gjimnazi “Babë Dudë Karbunara” u ndërtua nga e para me financim të Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë Berat.

Shkolla ka kapacitete të shtuara, palestër, auditor, bibliotekë, hapësira ndihmëse dhe laboratorë në një sipërfaqe ndërtimi prej 4380 m2, në shërbim të mbi 640 nxënësve dhe mësuesve, si dhe shërben edhe pas orarit mësimor, si qendër komunitare.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›