E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimnazi “Dhaskal Todri” në Elbasan me klasa të reja, laboratorë të shkencave dhe terrene sportive

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Gjimnazi “Dhaskal Todri”, një prej shkollave me traditë në qytet dhe me një histori 60-vjeçare, ka nisur këtë vit shkollor në ambiente tërësisht të rikonstruktuara dhe me kushte bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, së bashku me kryetarin e bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe drejtoreshën e ZVA Elbasan, Vesa Llanaj Lico, vizituan gjimnazin, ku u njohën nga afër me investimet dhe risitë e sjella në këtë institucion arsimor.

Vizita nisi në palestrën e rikonstruktuar të shkollës dhe vijoi në bibliotekën digjitale, ku nxënësit kanë mundësi të aksesojnë online libra përmes website-it të “Dhaskal Todrit”.

Një tjetër hapësirë e veçantë është Muzeu i Shkollës, ku përmes fotografive, dokumenteve dhe materialeve të ndryshme përcillet historia e institucionit ndër breza, aktivitetet e zhvilluara ndër vite dhe kujtimet e nxënësve e mësuesve.

Gjatë vizitës u panë gjithashtu ambientet sportive të jashtme, ndërsa në klasën digjitale ministrja Kumbaro zhvilloi një bashkëbisedim me nxënësit për mënyrën se si teknologjia po integrohet në procesin mësimor.

“Histori 60-vjeçare, ku breza të tërë kanë kaluar, dhe më vjen shumë mirë që rikthehem në hapësirën e një viti, sepse kur e vizitova herën e fundit gjimnazi ishte në kantier. Dhe kur është kantier, nuk është një vit i mirë, sepse do të duhet të zhvendoseni në një tjetër shkollë, por edhe ato harrohen dhe rëndësi ka që jeni rikthyer në shkollë të re, komplet të rinovuar, me mjedise të mira, siç e meritoni ju, por siç e meritojnë edhe nxënësit. Ta gëzoni shkollën! Besoj se jeni të kënaqur duke e krahasuar me atë që ishte. Një shkollë më e mirë, më e bukur, e re. Edhe përveç mësimit, shkolla ‘Dhaskal Todri’ është edhe shkollë e programit ‘Pas Shkolle’, ku ju zgjidhni klubet që ju pëlqejnë”, tha Kumbaro.

Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, duke vlerësuar investimin, tha se gjimnazi i ri i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë.

“Kishte vite, sepse herën e fundit rikonstruksioni ishte bërë në vitin 2010. Asnjëherë nuk ishte bërë rikonstruksioni i plotë që nga ndërtimi i tij. Tani është bërë rikonstruksioni i plotë i gjimnazit dhe gjithçka, përveç mureve, ka ndryshuar; është bërë totalisht i ri. Gjimnazi ka laboratorë të shkencave, ka palestër të re, ambiente të reja”, tha Llatja.

Nga gjimnazi “Dhaskal Todri”, ministrja Kumbaro, ka sqaruar përdorimin e inteligjencës artificiale në shkolla, e cila do të bëhet nën udhëheqjen e mësuesve, për të nxitur mendimin kritik te nxënësit dhe jo përdorimin pa kriter të saj.

“Brenda lëndës së TIK-ut ju merrni dhe jepni njohuri edhe për përdorimin e inteligjencës artificiale. Ne kemi përgatitur, bashkë me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë, përgjegjëse për kurrikulat, udhëzuesin se si duhet përdorur inteligjenca artificiale në atë që quhet përdorimi etik. Përdorimi i inteligjencës artificiale jo si detyrim, por si mund ta përdorim që të zhvillojmë mendimin kritik. Si mund ta përdorin mësuesit për të shtuar aparatin pedagogjik, pyetësorët dhe testimet që nxisin mendimin kritik. Nuk ka asnjë vendim apo udhëzim, dhe dua ta theksoj këtë, që të jetë futur inteligjenca artificiale me detyrim në shkollë. Nuk është e vërtetë, nuk ekziston. Përdorimi i inteligjencës artificiale duhet të përdoret për të nxitur mendimin kritik, nën udhëheqjen e mësuesve dhe jo të rrisë dembelizmin tek nxënësit”, nënvizoi Kumbaro.

Gjatë vizitës në Elbasan, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ka inspektuar edhe serrën hidroponike në shkollën “Konstandin Kristoforidhi”, një mjedis inovativ, pa tokë, ku rriten bimë dhe ku nxënësit zhvillojnë në praktikë njohuritë e tyre në lëndët e shkencave, duke u lidhur njëkohësisht më shumë me mjedisin dhe kujdesin ndaj tij.

Me 607 nxënës, gjimnazi “Dhaskal Todri” ofron tashmë klasa të reja, laboratorë të shkencave, bibliotekë, muze dhe ambiente sportive, duke krijuar më shumë mundësi për zhvillimin e njohurive, prirjeve dhe talenteve të të rinjve.

Shkolla është gjithashtu pjesë e programit “Pas Shkolle” dhe synon të jetë e hapur edhe për komunitetin përtej orarit mësimor, përmes aktiviteteve sportive, kulturore dhe edukative për nxënësit dhe familjet.

1 nga 10

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›