Gjinushi: “Populli i largon qeveritë kur janë të korruptuara”
Kreu i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, theksoi se populli ka të drejtë të largojë qeveritë e korruptuara. “Nuk e lufton populli korrupsionin, atë e lufton drejtësia dhe gjykata. Populli i largon qeveritë kur janë të korruptuara”, - theksoi Gjinushi. Sipas tij, ne kemi një Kushtetutë, por ajo është shkelur 30 herë; kemi edhe një Kuvend, por ai nuk përfaqëson as votën tonë, as moralin tonë. Duke kërkuar të vazhdohet të protestohet për garantimin e votës së lirë, Gjinushi tha se do ta fitojmë këtë betejë të përbashkët me garantimin e votës së lirë.
Milo: “Lufta politike po e mban Shqipërinë larg procesit të integrimit”
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, duke folur në protestën e djeshme të opozitës, është shprehur se Shqipëria është e lodhur nga lufta e brendshme politike.
Duke komentuar një vizitë të zhvilluar së fundi në Prishtinë, Milo ka deklaruar se është vënë në pozitë të vështirë kur është pyetur nga kosovarët përse nuk hapen kutitë.
“Më kanë pyetur shumë njerëz se përse nuk hapen kutitë në Shqipëri. Dhe unë u kam dhënë përgjigjen se Shqipëria është e drobitur nga lufta politike, që po e mban larg procesit të integrimit”, - ka pohuar Milo.
13 Maj 2010