Gjinushi: Të forcojmë shkollën shqiptare të matematikës dhe kërkimin shkencor

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Në Tiranë filloi punimet Konferenca e 3-të Kombëtare e Matematikës “NMC-2025”, e organizuar nga Instituti Kombëtar i Matematikës – pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë – dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës (Universiteti i Tiranës).
Konferenca bëri bashkë matematikanë, profesorë, doktorantë nga universitete dhe institucione shkencore shqiptare e të huaja.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi vlerësoi faktin që konferenca mbahet në një kohë që shkencat e matematikës kanë dalë në plan të parë.
“Matematika dhe gjuha janë dy shtyllat kryesore të formimit të nxënësve në shkollë. Duhet theksuar fort se roli i matematikës në shkollë, nuk është thjesht të mësohen disa formula, por të forcohet të menduarit racional”, tha Gjinushi.
Gjinushi theksoi se “zhvillimi i kërkimit matematik në Shqipëri nuk ka një traditë të hershme, megjithatë ka arritur që të realizojë misionin e saj bazë”.
“Sot kemi një shkollë matematike ku formimi i specialistëve të lartë, formimi i të rinjve, formimi matematik në tërësi të jetë i krahasueshëm dhe i konkurrueshëm me homologët. Ky është misioni kryesor, rezultantja e tërë investimit që bëhet në drejtim të matematikës. Këtë e dëshmon fakti që shumë të rinj pas viteve 1990 shkuan të studiojnë dhe të punojnë në qendra kërkimore e universitete të tjera, jashtë vendit dhe nuk e ndjenë veten aspak inferiorë, por u konvertuan dhe u përshtatën edhe në nëndisiplina të tjera”, u shpreh ai.
Kryetari i Akademisë së Shkencave e vuri theksin në reformimin dhe strategjitë e kërkimit shkencor në përputhje me ritmet e reja të shkencës në Europë e më gjerë, si dhe në nevojën e shumëfishimit të investimeve në kërkimin shkencor, duke krijuar sektorët e duhur për t’i thithur këto investime.
“Ne do të mbështesim punën në këtë drejtim, vetë Institutin e Matematikës, i cili u ngrit me synimin për të mbajtur afër si ata që punojnë jashtë dhe ata që punojnë brenda vendit. Nën ndikimin e tregut të punës, rinia preferoi degët më të lehta e më fitimprurëse duke ulur prurjet në degët e matematikës dhe të shkencave fondamentale në tërësi në universitete. Ndaj ne kemi detyrë të ftojmë kolegët tanë që fizikisht nuk janë këtu, të punojnë në drejtimin e riforcimit të shkollës shqiptare të matematikës. Ky është dhe një nga qëllimet kryesore të kësaj konference”, tha ndër të tjera Gjinushi.
Prof. dr. Eglantina Kalluçi, dekane e Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës përshëndeti të pranishmit dhe u ndal në çështjen e zhvillimit të shkencës së matematikës në erën e zhvillimit të inteligjencës artificiale.
“Inteligjenca artificiale, apo shkenca digjitale në përgjithësi i ka themelet në shkencat fondamentale. Ajo që mund të theksojmë nuk është gjë tjetër veçse një mendje e mprehtë me formimin bazë në këto shkenca”, tha ajo.
Kalluçi e vuri theksin në riorganizimin e programeve të studimit në përputhje me atë që kërkon tregu i punës, por pa u cenuar ajo që është formimi bazë fondamental.
Gjatë seancës prezantuan punimet shkencore akad. Davis Kalaj, Universiteti i Malit të Zi, Podgoricë, anëtar i jashtëm i ASHSH-së; prof. Stefan Janaqi, Shkolla Kombëtare e Mineraleve të Alesit, Francë, si dhe studiues nga universitetet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Vlorës, Tetovës në Maqedoninë e Veriut, etj.
Gjithashtu u bënë prezantime nga doktorantët me një tematikë të larmishme si analiza funksionale dhe topologjia, algjebra, ekuacionet diferenciale, metoda numerike, fraktalet, probleme didaktike të përdorimit të teknologjisë në arsimin e lartë në përgjithësi dhe atë matematik në veçanti, aplikime etj.
Konferenca do të vijojë edhe ditën e premte, datë 24 tetor, në mjediset e Akademisë së Shkencave.
1 nga 16/m.m/a.f/r.e/