Gjirokastër – Informaliteti në tregun e punës, Inspektorati i Punës jep shkeljet e gjetura në 8 muaj

Inspektorati Shtetëror i Punës në Gjirokastër ka shtuar inspektimet gjatë muajve të fundit në subjekte të ndryshme të qarkut, me synim rritjen e sigurisë në punë dhe uljen e informalitetit.
Vetëm në 8 muajt e parë të vitit janë evidentuar 258 punonjës informalë, kryesisht në subjekte tregtare, ku janë marrë edhe masat përkatëse.
“Gjatë periudhës 8-mujore janë evidentuar rreth 258 punëmarrës informalë. [Është marrë] masa urgjente pezullim i aktivitetit deri në deklarimin e tyre. Informalët janë konstatuar në subjekte me aktivitet si tregti, miniera etj. Janë trajtuar 7 raste ankesash në lidhje me marrëdhëniet punës, si mosrespektimi i kontratës, marrëveshjet mes palëve, mosrespektimi i pushimit javor, mospagesa e orëve shtesë”, u shpreh kryeinspektori Arben Gushi.
Në total janë vendosur 360 masa administrative ndaj subjekteve të inspektuara.
“26% e këtyre masave janë urgjente për shkelje të marrëdhënieve të punës. 74% e masave janë masa të dënimit kryesor si paralajmërim”, tha ai.
Kontrollet dhe inspektimet pritet të vijojnë edhe në periudhën në vijim si pjesë e angazhimit për respektimin e të drejtave të punëmarrësve dhe rritjen e standardeve të sigurisë në vendin e punës.
Gazetar: Enkeleda Domeri
/rtsh.al/