Gjirokastër/ Të rinjtë në protestë, u vënë flakën koshave të mbeturinave dhe bllokojnë qarkullimin

Protestat e të rinjve janë shtrirë edhe në qytetin e Gjirokastrës, ku protestuesit kanë marshuar në rrugët e qytetit, duke shkaktuar tensione dhe pengesa në qarkullimin rrugor.
Gjatë protestës, të rinjtë kanë rrëzuar kosha mbeturinash në rrugë dhe u kanë vënë flakën, ndërsa kanë shkulur edhe tabela përgjatë itinerarit të marshimit.
Si pasojë e këtyre veprimeve, qarkullimi në disa akse rrugore është penguar, ndërsa marshimi ka vijuar edhe në rrugë të tjera të qytetit.
Gjatë zhvillimeve janë regjistruar gjithashtu momente tensioni mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa situata në terren vijon të jetë e tensionuar.
Gjirokastra i është bashkuar kështu valës së protestave që po zhvillohen në disa qytete të vendit, ku nxënës dhe të rinj kanë bojkotuar procesin mësimor dhe kanë dalë në rrugë.
/rtsh.al/