E Diel, 1 Nëntor 2026

Kategoria e Parë në RTSH/ Alison ndëshkon Besën me 2 gola, “poker” i Flamurtarit

Janë luajtur sot dy ndeshje të javës së 6-të të Kategorisë së Parë, që transmetohet në RTSH. Kukësi ka mundur Besën pretendente me rezultatin 2-0, ndërsa Flamurtari mposhti Orikun në derbi 1-4.

Brazilian Alison ishte njëriu i ndeshjes për Kukësin. Ai realizoi një gol shumë të bukur në pjesën e parë, pas një gjuajtjeje të kalibruar në hyrje të zonës. Loja ishte mjaft e luftuar në një terren të rrëshqitshëm.

Kukësi fitoi një penallti në minutën e 80-të dhe Alison nuk gaboi nga pika e bardhë. Skuadra e trajnerit Bledi Kadiu merr një fitore të merituar dhe shumë të rëndësishme për ecurinë e saj në kampionat. Kjo është humbja e dytë për Besën e Gugash Maganit.

Flamurtari ka marrë një fitore të thellë, 1-4 në fushën e Orikut, e dyta radhazi për vlonjatët. Derbi u zgjidh që në pjesën e parë nga skuadra e trajnerit Kërnaja, pas dy golave të shënuar me penallti nga Berisha dhe Barry Arevalo. Ky i fundit shënoi edhe në pjesën e dytë, ndërsa goli tjetër mban firmën e Keneth. Llojaj me penallti shënoi golin e nderit për Orikun, që mbetet në vend të fundit.

Pas këtij rezultati, Flamurtari është ngjitur në vend të 3-të, në kuotën e 9 pikëve, po aq sa kanë edhe Kukësi dhe Bylisi, që luan nesër ndeshjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›