Gjirokastra mbushet me turistë, “qyteti i gurtë” tërheq vizitorë nga e gjithë bota

Qyteti i gurtë vijon të mbetet një nga destinacionet më tërheqëse turistike në vend. Historia, arkitektura karakteristike, tradita dhe bukuria unike e Gjirokastrës kanë bërë që edhe këtë verë rrugicat e saj të mbushen me vizitorë nga vende të ndryshme të botës. Në çdo cep të qytetit dëgjohen gjuhë të ndryshme, ndërsa turistët shijojnë atmosferën e veçantë të kalldrëmeve, banesave karakteristike dhe trashëgimisë kulturore që e bën Gjirokastrën të dallueshme.
“Jemi nga Italia dhe kemi vizituar edhe Vlorën, por Gjirokastra më duket tepër e veçantë që nga arkitektura, atmosfera dhe deri tek mikpritja”, deklaroi një prej turistëve.
“Po më pëlqen shumë atmosfera e mbrëmjeve sepse kaq shumë gjallëri dhe turist. Më pëlqen të shikoj rrugicat antike të mbushura me njerëz. Për mua është hera e parë që vij këtu. Ma sugjeroi një mikeshë dhe e shijuam tepër këtë eksperiencë”, tha një tjetër turiste.
Për administratorët, kjo verë po shënon një sezon të mbarë, me një numër të konsiderueshëm turistësh dhe gjallëri të shtuar në qytet.
“Të gjitha hotelet, të gjitha restorantet funksionojnë shumë mirë në këtë moment. Sa më shumë aktivitete të ketë aq më mirë është dhe për ne. Kur turistët vijnë duan të kenë dhe një aktivitet, të dalin në darkë, të shikojnë një këngëtar, të argëtohen”, deklaroi administrator Hajri Kashahu.
Dhe teksa vera vijon, rrugicat e Gjirokastrës mbeten të mbushura me jetë, duke dëshmuar se magjia e qytetit të gurtë vazhdon të tërheqë vizitorë nga e gjithë bota.
/RTSH/