Gjoba deri në 1 milion lekë për zyrtarët që nuk bashkëpunojnë gjatë proceseve gjyqësore me avokaturën e Shtetit

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Zyrtarët publikë që nuk bashkëpunojnë me Avokaturën e Shtetit gjatë proceseve gjyqësore do të përballen me gjoba që arrijnë deri në 1 milion lekë.
Ky është një nga ndryshimet që sjell ligji nr. 85/2026 “Për Avokaturën e Shtetit”, i cili forcon mekanizmat për mbrojtjen e interesave pasurorë të shtetit dhe zgjeron kompetencat e institucionit edhe në raport me pushtetin vendor.
Sipas ligjit të ri, mosparaqitja brenda 5 ditëve e dokumentacionit, shpjegimeve, informacioneve apo qëndrimit institucional të nevojshëm për mbrojtjen e një çështjeje gjyqësore dënohet me gjobë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë.
E njëjta masë parashikohet edhe për mosdepozitimin ose depozitimin e pasaktë të informacionit dhe akteve procedurale pranë gjykatës.
Masa administrative ashpërsohet në rastet kur titullari ose nëpunësi përgjegjës nuk paraqitet ose refuzon pa arsye të marrë pjesë në procesin gjyqësor, nuk jep shpjegimet e kërkuara, nuk nënshkruan apo miraton qëndrimin institucional kur kjo kërkohet nga Avokatura e Shtetit, si dhe kur kryen me dashje veprime ose mosveprime që pengojnë seriozisht mbrojtjen e interesave pasurorë të shtetit.
Në këto raste, gjoba varion nga 500 mijë deri në 1 milion lekë. Masat vendosen nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit dhe të ardhurat derdhen në buxhetin e shtetit.
Përgjegjësia administrative nuk përjashton atë civile. Kur veprimi ose mosveprimi i zyrtarit sjell pasoja për interesat pasurorë të shtetit, titullari dhe nëpunësi përgjegjës mund të mbajnë edhe përgjegjësi civile, ndërsa institucioni ka të drejtë të kërkojë regres në gjykatë.
Vendimi për vendosjen e masës administrative mund të ankimohet në Gjykatën Administrative të shkallës së parë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me njësitë e vetëqeverisjes vendore. Ndryshe nga kuadri aktual, ku Avokatura e Shtetit u ofron njësive vendore asistencë juridike sipas kushteve të përcaktuara në ligj ose përmes marrëveshjeve të posaçme, ligji i ri i jep institucionit kompetencë të drejtpërdrejtë për përfaqësimin e tyre.
Avokatura e Shtetit do të përfaqësojë dhe mbrojë interesat pasurorë të organeve të vetëqeverisjes vendore përpara gjykatave të të gjitha niveleve, pa pasur nevojë për autorizim të posaçëm kur këto organe janë palë në një proces gjyqësor.
Vetëm në raste të veçanta, sipas kritereve që do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit mund t’ia delegojë të drejtën e përfaqësimit vetë organit vendor.
Ligji i ri ndryshon edhe mënyrën e rekrutimit të avokatëve të shtetit. Programi i formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës mbetet rruga kryesore, por tashmë parashikohet mundësia e konkurrimit edhe për kategori profesionistësh me përvojë të gjatë në fushën juridike.
Konkursi mund të ndiqet nga persona me më shumë se 7 vjet përvojë si ndihmës ligjorë të Avokatit të Shtetit, si dhe nga profesionistë me mbi 10 vjet përvojë si avokatë, profesorë, lektorë të së drejtës apo juristë në administratën qendrore.
Emërimet nga këto kategori nuk mund të kalojnë 50% të vendeve vakante vjetore, përveç rasteve kur vendet e mbetura nuk plotësohen përmes programit të Magjistraturës.
Njëkohësisht, ligji krijon edhe pozicionin e ndihmësit ligjor, për të cilin kërkohet diplomë e ciklit të dytë në drejtësi dhe të paktën një vit përvojë juridike.
Ndihmësit ligjorë do të kenë në detyrë analizimin e praktikës gjyqësore, përpunimin e dosjeve dhe përgatitjen e mbrojtjeve standarde. Pas më shumë se 7 vitesh përvojë, ata mund të konkurrojnë për pozicionin e avokatit të shtetit.
Ligji nr. 85/2026 hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa efektet financiare të tij nisin më 1 janar 2027.
/k.s/r.e/a.f/