Gjykata Administrative e Apelit shpall 25 vende vakante për juristë

TIRANË, 30 prill /ATSH/ Gjykata Administrative e Apelit shpalli sot 25 vende vakante për specialistë (asistentë/ndihmës ligjorë) me kontrata të përkohshme, në kuadër të Strategjisë për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura në Gjykata.
Gjykata Administrative e Apelit, thekson se më këtë hap synohet që të ndihmohen gjyqtarët në përballimin e ngarkesës së punës dhe në përshpejtimin e shqyrtimit të çështjeve.
Specialistët do të mbështesin gjyqtarët dhe trupat gjykuese në verifikimin paraprak të çështjeve, identifikimin e atyre që mund të shqyrtohen me prioritet dhe përgatitjen e çështjeve për shqyrtim deri në zbardhjen dhe dorëzimin e vendimeve gjyqësore.
Gjithashtu ata do të asistojnë në verifikimin e plotësisë së dosjes, shqyrtimin e kushteve formale të padisë si dhe të shqyrtimit të ankimimeve.
Pas shqyrtimit të çështjes, specialisti (asistent/ndihmës ligjor) asiston gjyqtarin dhe/ose ndihmësin ligjor në proceset e arsyetimit të vendimit gjyqësor, verifikimin dhe vlerësimin e ushtrimit të mjeteve të kundërshtimit të vendimit gjyqësor nga palët etj.
Juristët të cilët janë të interesuar për të punuar mund të paraqesin dokumentacionin deri më datën 14 maj 2026.
/m.q/r.e/a.f/