Gjykata Kushtetuese i vë kufij praktikës së sekuestrimit të telefonit nga Prokuroria e Posaçme

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Gjykata Kushtetuese me një vendim të marrë në korrik të vitit 2025 dhe të zbardhur më 13 janar të këtij viti, sqaroi sesi Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mund të sekuestrojë dhe kontrollojë telefonat e personave, qoftë ata të përfshirë në hetime apo jo.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, në referencë të një rastit të Onejda Ymerajt, asnjë aparat celular nuk duhet të hapet pa një vendim gjykate.
“Gjykata çmon se ngarkimi i Prokurorisë së Posaçme me ekzekutimin nuk nënkupton lënien e vlerësimit përfundimtar në diskrecionin e saj. Përkundrazi, ekzekutimi duhet të kuptohet si realizim teknik i detyrimeve që rrjedhin nga ky vendim dhe si detyrim për të vënë në lëvizje kontrollin gjyqësor për vijimin e mbajtjes në sekuestro të të dhënave kompjuterike që kanë lidhje me hetimin”.
“Për këtë qëllim, Prokuroria e Posaçme duhet t’i paraqesë gjykatës së zakonshme të shkallës së parë kërkesën për miratimin e vijimit të sekuestrimit të të dhënave që pretendon se kanë lidhje me hetimin, duke arsyetuar në mënyrë konkrete këtë lidhje dhe domosdoshmërinë e ruajtjes të të dhënave, si dhe duke siguruar zbatimin e garancive procedurale të përcaktuara në arsyetimin e këtij vendimi. Gjykata çmon se afati 3-mujor është i domosdoshëm për të garantuar efektivitetin e vendimit dhe për të shmangur zgjatjen në kohë të një ndërhyrjeje të konstatuar si joproporcionale. Ky afat detyron subjektin e interesuar për të kryer, brenda një kohe të arsyeshme, veprimet e nevojshme për ndarjen/filtrimin dhe asgjësimin e atyre të dhënave kompjuterike që nuk kanë lidhje me hetimin, si dhe për të paraqitur kërkesën për kontroll gjyqësor për vijimin e mbajtjes në sekuestro të të dhënave të tjera (atyre që kanë lidhje me hetimin), duke respektuar garancitë procedurale të përcaktuara në arsyetimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Po ashtu “gjykata vëren se në rastet e ngutshme/të urgjencës, si përjashtim, interesi publik mund të justifikojë sekuestrimin e pajisjes elektronike dhe përkohësisht edhe të të dhënave të memorizuara në të, në tërësi, me iniciativë të OPGJ-së, pa vendim paraprak të gjykatës, referuar nenit 300 të KPP-së.
“Megjithatë, në këto raste masa i nënshtrohet kontrollit automatik të prokurorit dhe kontrollit gjyqësor ex post mbi ankimin e individit, ku ligjshmëria vlerësohet: së pari, në aspektin e urgjencës, nëse kanë ekzistuar arsye të bazuara për të menduar se pajisja ose të dhënat mund të humbnin, ndryshonin ose cenoheshin. Lidhur me këtë, Gjykata çmon të theksojë se urgjenca, në kuptimin kushtetues, duhet të jetë reale, konkrete dhe e argumentuar në rrethanat specifike të rastit. Në këtë pikë, Gjykata thekson se sekuestrimi në kushtet e urgjencës nuk nënkupton se OPGJ-të fitojnë edhe të drejtën për të kërkuar, analizuar, përzgjedhur dhe marrë të dhëna të memorizuara në përmbajtjen e pajisjes elektronike dhe që kanë rëndësi për hetimin. Për këtë ndërhyrje kërkohet vendim gjykate, i cili përcakton edhe modalitetet konkrete të kërkimit dhe të administrimit të të dhënave, në mënyrë që ndërhyrja të kufizohet vetëm në atë që është rreptësisht e nevojshme. Përjashtimi në rastet e urgjencës nuk duhet të kuptohet si zëvendësim i kontrollit gjyqësor ex ante, por vetëm si devijim i arsyetuar nga rregulli i autorizimit paraprak gjyqësor”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Prandaj, sipas Gjykatës Kushtetuese “në rastet e urgjencës, kërkohet që arsyeja e ngutshmërisë të jetë e motivuar në mënyrë të veçantë dhe kontrolli gjyqësor ex post të realizohet në një afat të shkurtër, në mënyrë që ndërhyrja të mos konsumohet faktikisht pa verifikim real të domosdoshmërisë dhe kufijve të saj”.
“Gjykata vëren gjithashtu se qoftë kur masa autorizohet paraprakisht nga gjykata, ashtu dhe kur autorizohet pas sekuestrimit në kushtet e urgjencës, mënyra e kërkimit dhe e përzgjedhjes të të dhënave i nënshtrohet sërish kontrollit gjyqësor me kërkesë të prokurorit dhe është gjykata ajo që vendos përfundimisht për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike me rëndësi për hetimin dhe, kur është rasti, urdhëron asgjësimin e të dhënave të parëndësishme ose të atyre që gëzojnë mbrojtje të veçantë nga ligji”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën e Ymerajt dhe “konstatoi cenimin e fshehtësisë së korrespondencës, si dhe së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, për pjesën që ato nuk lidhen me objektin e hetimit penal”.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese kërkoi asgjësimin e kopjeve të korrespondencës dhe të dhënave personale të nxjerra nga telefoni celular i kërkueses, që nuk lidhen me objektin e hetimit penal.
“Vijimin e mbajtjes në sekuestro të kopjeve të korrespondencës dhe të dhënave personale që lidhen me objektin e hetimit penal, duke ia nënshtruar kontrollit gjyqësor. Urdhërimin e zbatimit të garancive procedurale të parashikuara në arsyetimin e këtij vendimi në vijimin e mbajtjes në sekuestro të telefonit celular, si send që mbart korrespondencë dhe të dhëna personale”.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ngarkoi Prokurorinë e Posaçme për ekzekutimin e vendimit brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij, duke respektuar garancitë procedurale, sipas arsyetimit të vendimit.
Vendimi u mor unanimisht nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
/m.q/r.e/ /a.g/