Gjykata Kushtetuese merr sot vendimin për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 8 gusht /ATSH/ Sot përfundon afati i masës së përkohshme që ka vendosur Gjykata Kushtetuese e Kosovës për çështjen e konstituimit të Kuvendit. Më 24 korrik, Kushtetuesja tha se deputetët nuk mund të marrin asnjë vendim e as të ndërmarrin ndonjë veprim rreth formimit të Kuvendit, deri më 8 gusht.
Kjo u bë pasi që ky institucion po shqyrton dy lëndë që janë kërkesa të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilat duan sqarime për çështjet kushtetuese që lidhen me formimin e Legjislaturës së nëntë.
Një kërkesë tjetër që shkoi në adresë të Kushtetueses është edhe ajo e presidentes Vjosa Osmani, por nuk dihet nëse ajo do të shqyrtohet pas e para e shtetit e tërhoqi atë ditë më parë për shkak të emërimit të gjyqtarit Radomir Llaban si gjyqtar raportues në këtë rast.
Osmani ka thënë se Llaban paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese kishte lëshuar edhe më herët një aktgjykim lidhur me çështjen e Kuvendit duke thënë se institucioni ligjvënës duhej të konstituohej në një afat prej 30 ditësh. Deputetët nuk e përfillën këtë vendim për të cilin vetë Kushtetuesja nuk tregoi se cilat janë pasojat e moszbatimit të tij.
Kosova është në krizë të thellë politike si pasojë e mosformimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Deputetët e zgjedhur janë mbledhur 54 herë nga 15 prilli deri fund të korrikut, por nuk kanë arritur të formojnë trupat e legjislativit. Procesi ka ngecur të zgjedhja e kryetarit të Kuvendit pasi që partia e parë – Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk kanë arritur t’i sigurojnë votat për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.
Partitë që deri tani ishin në opozitë e konsiderojnë të papranueshëm emrin e Haxhiut.
Pas gjashtë dështimeve në votim të hapur, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit, por kjo nuk u përkrah nga partitë e tjera parlamentare. Ato kanë akuzuar kryesuesin e seancës – deputetin e LVV-së, Avni Dehari, për shkelje të Kushtetueses sa i përket udhëheqjes së seancave.
Vendimi i Kushtetueses për hapat e mëtejshëm drejt konstituimit të Kuvendit pritet të publikohet sot. /KosovaPress/