E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmon ish-diplomati britanik John Stewart Duncan

PRISHTINË, 22 shtator/ATSH/ Ka nisur dëshmia e ish-diplomatit britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ai ka filluar të intervistohet nga ekipi mbrojtës i Thaçit, i cili ka parashikuar rreth katër orë e gjysmë për marrje në pyetje.

Më pas ai do të përgjigjet në pyetjet e avokatëve të tjerë, pastaj të ZPS-së dhe në fund trupit gjykues.

Dëshmia e tij vjen pasi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u dëgjua ish-ndihmëssekretari amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës në negociatat në Rambuje, Paul Williams.

Paraqitja e provave të mbrojtjes nisi një javë më parë, më 15 shtator. Mbrojtja e Thaçit ka planifikuar t’i sjell 11 dëshmitarë në tërësi, pas së cilëve pritet të dëshmojnë dy të  tjerë të thirrur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.

Paraqitja e provave të mbrojtjes pritet të përfundojë deri në mesin e nëntorit, ndërkaq, turpi gjykues pret që ekipet mbrojtëse të dorëzojnë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›