E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi në Hagë, Rexhep Selimi: Lufta jonë ishte e drejtë, nuk mund të njollosësh. Akuzat janë të pabazuara

Në fjalën e tij përmbyllëse para trupit gjykues në Hagë, Rexhep Selimi deklaroi se pas më shumë se pesë vitesh proces gjyqësor kjo periudhë të shërbejë si një mundësi për drejtësi.

Selimi u shpreh se trupi gjykues ka pasur kohë të mjaftueshme për të kuptuar se lufta e zhvilluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e drejtë dhe se pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë.

“Është hera e tretë dhe shpresoj të jetë e fundit që marr fjalën në këtë sallë gjyqi. Kanë kaluar mbi pesë vite dhe nuk kanë qenë të lehta për ne. Le të shërbejë gjithë kjo si mundësi dhe shans i mirë për drejtësi. Trupi gjykues ka pasur kohën e mjaftueshme për ta kuptuar se lufta jonë ishte e drejtë dhe pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë. Po përballem me një aktakuzë të pabazuar. Akuzat ndaj nesh janë të padrejta. Prokuroria ka vijuar të mbështetet në pretendime që nuk kanë bazë në të vërtetën, në një përpjekje të vazhdueshme për të njollosur një luftë që në thelb ishte çlirimtare’, tha Selimi.

Selimi u shpreh se po përballet me një aktakuzë të pabazuar dhe se akuzat ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve janë të padrejta. Ai akuzoi Prokurorinë se është mbështetur në pretendime që, sipas tij, nuk kanë bazë në të vërtetën dhe se ka tentuar të njollosin luftën çlirimtare.

“Shënjestër e Prokurorisë ishte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, i cili kishte si qëllim pavarësinë e Kosovës. Madje, Prokuroria krijoi përshtypjen se vetë pavarësia po trajtohej si një qëllim kriminal. Qëllimi i UÇK-së ka qenë pavarësia, dhe ta paraqesësh kërkesën për pavarësi si radikale nuk mund ta barazojë luftën çlirimtare me krimet dhe shtetin vrasës të Serbisë. Këtë nuk mund ta bëjë askush”, tha Selimi.

Selimi tha se prokuroria po trajton pavarësinë e Kosovës si qëllim kriminal, duke dashur të rishkruaj historinë.

“Nuk mund të barazosh rezistencën e një populli të shtypur me një plan kriminal. Të përpiqesh të ndërhysh me qëllim në ndryshimin e fakteve historike përmes akuzave me pretendime të shtrembëruara është thjesht përpjekje për të rishkruar historinë. Dhe historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër në një sallë gjyqi.

Atë e kanë shkruar qytetarët dhe heronjtë e saj, kur Serbia vriste dhe helmonte moshatarët e mi, na ndiqnin për të na vrarë e për të bërë gjenocid. Çfarë duhej të bënim ne? Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›