Gjyqi në Hagë, deputeti Malaj: Pretenca e prokurorisë e turpshme. Ish-krerët e UÇK e kanë fituar lirinë me gjak dhe nuk ja heq dot asnjë gjykatë

Katër ish-krerët e UÇK-së, që janë vënë nën akuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kërkuan drejtësi në seancën përfundimtare të gjyqit ndaj tyre në Hagë.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, u deklaruan sërish të pafajshëm në deklaratat e tyre përmbyllëse.
Deputeti socialist Erjon Malaj, i ftuar në studion e emisionit “Trialog” në RTSH, e quajti të turpshme pretencën e prokurorisë. Sipas tij, akuzat që rëndojnë ndaj tyre janë të pabaza dhe “synojnë të cenojë dinjitetin e këtyre individëve dhe mbarë luftës së bërë në Kosovë”.
“Kjo është një fyerje që po i bëhet jo vetëm atyre 4 heronjve, por mbar kombit shqiptar, të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës dhe ndaj atyre që mundësuan lirinë e Kosovës, përfshirë këtu NATO-n, SHBA dhe këdo që ndërhyri që kjo masakër të ndalonte. Unë uroj që ai vendim final të japë drejtësi dhe të përfaqësojë ato vlera të perëndimit që ne i kemi parë me admirim dhe synojmë t’i arrijmë. Ata janë të lirë, e kanë fituar atë liri me gjak dhe nuk ja heq dot asnjë gjykatë. Kjo pretencë e turpshme nuk gjen logjikë te asnjë njeri që e di se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Janë akuza të pabazuara, akuza që synojnë të cenojë dinjitetin e këtyre individëve dhe mbarë luftës së bërë në Kosovë. Nga ana e prokurorisë po trajtohet edhe si vendim politik dhe kjo është diçka që nuk mund të pranohet”, u shpreh ai.
/rtsh.al/